“Stacioni” i fundit i trenit, Brukseli. Bisedime Mustafa-Vuçiç

20/01/2017 00:00

Brukseli do të jetë stacioni i fundit për trenin serb dhe konfliktin rreth tij. Takimi që do të kenë delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, e që kësaj radhe pritet të jetë në nivel të lartë, do të provojë ta kthejë dialogun në binarët e një rrugëtimi normal.

Serbia vazhdon të këmbëngulë se fajin e ka Kosova, pasi frikësoi me armë të gjata. Por, stabiliteti rajonal dhe ekonomia duken të rëndësishme për Serbinë tashmë.

Kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç mori mbështetje dhe lëvdata nga zyrtarët europianë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, bashkë me porositë përcjellëse: vazhdimin e dialogut. Vuçiç ka për të shëruar marrëdhëniet edhe me fqinjët kroatë e boshnjakë.

“Është e rëndësishme të ruajmë stabilitetin. Njerëzit e harrojnë vlerën e dialogut. Dialogu është shërues dhe mund të ndalojë situatat si para pak ditësh”, tha Aleksandar Vuçiç, kryeministër i Serbisë.

Dragolub Petroviç, kryeredaktor i të përditshmes “Danas” thotë se, serbët nuk duan të luftojnë. Por, politika dëshiron ta nxjerrë Serbinë dhe Vuçiçin si faktor të paqes në rajon.

“Edhe pas 4 vitesh nga marrëveshja e Brukselit, Beogradi dhe Prishtina nuk kanë normalizuar marrëdhëniet dhe duhet të komunikojnë vetëm me ndërmjetësues, pasi shohin vetëm të provokojnë njëri-tjetrin. Këtu askush nuk do luftë, pasi është koha e rrjeteve sociale për heqje mllëfi dhe po të nisesh arrin vetëm deri në Rashkë”, tha Dragolub Petroviç, kryeredaktor i “Danas”-it.

Në kohë krizash, shumë në Serbi shtrojnë pyetjen nëse Bashkimi Europian e ka në fokus Ballkanin, e nëse dialogu mund të jetë në rrezik. Boshko Jakshiç, komentator i politikës së jashtme, thotë se treni ka krijuar një situatë, që zgjidhjen e kërkon në Bruksel.

“Në rast të incidenteve tragjike, një pjesë e madhe e fajit do të ishte te Brukseli. Bashkimi Europian ka problemet e tij, por duhet kuptuar se këto incidente, që tani ishin provokim i Beogradit e nesër mund të jenë të Prishtinës, mund të përshkallëzojnë dhe vetëm BE-ja mund të udhëheqë bisedimet”, tha Boshko Jakshiç, komentator i “Politika”.

Takimet e Brukselit pritet të ritheksojnë bindjet e të dyja qeverive për përkushtim në dialog. Ekziston edhe mundësia e ngritjes së tij në pozita më të larta shtetërore. Por, zgjedhjet dhe fushtatat pritet të jenë një pengesë.

Dialogu Kosovë-Serbi më shumë ka ngjarë me një arenë mospajtimesh, ndërsa Vuçiç duket se kërkon të kandidojë për president të Serbisë, ndaj dhe dëshiron t’i udhëheqë personalisht bisedimet me Kosovën.

Top Channel