Donaldi “uron” Donaldin: Shpresojmë të vazhdojë forcimi i marrëdhënieve

20/01/2017 00:00

Betimi i Presidentit të ri Donald Trump në Shtetet e Bashkuara shënon edhe kulmin e një përplasjeje jo të vogël mijëra kilometra larg Uashingtonit, në Shqipëri. Palët politike në Tiranë kanë qenë të ndara në preferencat e tyre për dy Donaldët amerikanë.

Opozita ka më shumë pritshmëri nga Presidenti Trump, ndërsa mazhoranca dhe personalisht kryeministri Rama kanë qenë kritikë ndaj tij.

“Mos e dhëntë Zoti. Besoj se do të dëmtonte shumë SHBA-të dhe botën demokratike, pasi ai do të duhej të bënte disa prej gjërave që thotë se do t’i bëjë, e padyshim kjo do të ishte shumë e dëmshme”, shprehej kryeministri Rama.

Por mazhoranca ka qenë më e afërt me një tjetër Donald, i cili edhe ky përfaqëson Shtetet e Bashkuara të Amerikës, jo në Uashington, por në Tiranë.

Donald Lu ka qenë një nga nxitësit më të mëdhënj të Reformës në Drejtësi dhe, përballë përplasjes politike që shpesh e ka penguar atë, nuk ka nguruar të flasë pa doreza.

“I kemi thënë udhëheqjes së PD-së se rrezikojnë të bëhen ajo parti, që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë te të cilët kanë ndikim politik”, është shprehur ambasadori i SHBA në Tiranë, Donald Lu.

“Për më shumë se 25 vite, gjatë qeverive të ndryshme në Uashington dhe Tiranë, ka qenë gjithmonë e vertëtë se shqiptarët dhe amerikanët kanë çmuar një lidhje të veçantë dhe të thellë mes tyre. Presim me kënaqësi, që kjo marrëdhënie e jashtëzakonshme të vazhdojë gjatë Presidencës Trump”, ishte urimi i Donald Lu gjatë ditës së sotme.

Por opozita pret më shumë sesa kaq.

“Për Partinë Demokratike, me ardhjen e presidentit Trump nis një erë e re. Jo vetëm për Amerikën, por edhe për Shqipërinë”, është shprehur Lulzim Basha në një intervistë për “Zërin e Amerikës”.

“Falënderojmë shqiptarët e shumtë që i kanë afruar Presidentit të ri Donald Trump dhe Zonjës Trump urimet e tyre të përzemërta”, tha më tej Lu.

Por ndërsa të premten, në këto falënderime mungoi ai i kryeministrit, i cili nga Singapori zgjodhi të fliste për votimin elektronik, vet Presidenti Donald Trump duhet ende të flasë. Deri atëherë, të gjithë në Tiranë janë në pritje, dikush me entuziazëm dhe dikush në heshtje.

Top Channel