Kthimi i retorikës së ashpër në fjalimin e Trump

20/01/2017 00:00

Në fjalimin tradicional pas betimit, të mbushur me prirjet nacionaliste që karakterizuan dhe fushatën e tij, Donald Trump është zotuar se do të fokusohet tek interesat e Uashingtonit, tek forcimi i kufijve të Amerikës, forcimi i infrastrukturës së saj, kthimin në vend të fabrikave të punës dhe zhdukjen e terrorizmit.

“Burrat dhe gratë e harruara të vendit tonë nuk do të harrohen më. Ju nuk do të injoroheni më”, tha Trump para të pranishëmve. “Amerika do të fillojë të fitojë sërish, të fitojë si kurrë më parë. Ne do të kthejmë në atdhe vendet e punës, do të kthejmë kufijtë tanë, do të kthejmë pasurinë tonë dhe do të kthejmë ëndrrat tona”, tha Trump.

Sa i takon aleancave, presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara bëri me dije se do t’u kushtojë vëmendje aleatëve të vjetër dhe të rinj, në një luftë, që siç pohoi ai, nuk do të mbarojë derisa të asgjësohet “terrorizmi islamik radikal”. Një frazë kjo e shmangur nga dy parardhësit e tij, Barack Obama dhe George W. Bush, që ishin ulur prapa tij gjatë fjalimit.

“Ne do të përforcojmë aleancat e vjetra dhe do të formojmë të reja, si dhe do të bashkojmë botën e qytetëruar kundër terrorizmit radikal islamik, të cilin duhet ta çrrënjosim tërësisht nga faqja e dheut”, theksoi Trump. Në këtë drejtim, ai nuk përmendi Rusinë, edhe pse është tashmë e ditur që presidenti është pro lidhjeve me Moskën.

Sikurse gjatë fushatës elektorale, edhe në këtë fjalim Trump u shfaq më pak republikan dhe më shumë si një i huaj i vendosur për të “shkundur” Uashingtonin dhe të gjunjëzojë edhe estabilishment-in, sikurse njihen pushtetet e forta në Amerikë, por edhe shumë prej politikanëve të mbledhur për ta parë teksa shqiptonte 35 fjalët e betimit.

“Nuk do të pranojmë më politikanë që vetëm flasin dhe nuk veprojnë, që vetëm ankohen por nuk bëjnë asgjë. Koha e fjalimeve boshe ka marrë fund. Tani është koha e veprimit”, deklaroi Trump. Sipas tij, “ajo që ka vërtet rëndësi nuk është se cila parti kontrollon qeverinë, por kontrolli i qeverisjes nga njerëzit”.

Në pjesën më të madhe të fjalimit të tij, Trump doli kundër rendit botëror që Shtetet e Bashkuara kanë ndërtuar dhe mbështetur që pas Luftës së Dytë Botërore, duke i mëshuar këtu linjës së tij kundër Kinës, të cilën e cilëson një “agresor ekonomik” dhe disa vendeve të NATO-s që i cilëson si “parazite”.

“Për shumë dekada, ne kemi pasuruar industrinë e huaj në dëm të industrisë amerikane. Kemi mbështetur ushtritë e vendeve të tjera, ndërsa kemi lejuar shterrimin e ushtrisë tonë. nga sot e tutje, e para do të jetë vetëm Amerika”, theksoi Trump.

Presidenti, që u zotua të rishkruajë apo të anulojë marrëveshjet tregtare, të cilat i fajëson për humbjen e vendeve të punës në Amerikë, u shfaq hapur pro proteksionizmit ekonomik.

“Ne duhet të mbrojmë kufijtë tanë nga rrënimi që vendet e tjera u shkaktojnë produkteve tona, që vjedhin kompanitë tona dhe që shkatërrojnë vendet tona të punës. mbrojtja e këtyre do të çojë në një prosperitet dhe fuqizim më të madh”, tha Trump.

“Së bashku, ne do ta bëjmë Amerikën të fortë sërish. Ne do ta bëjmë Amerikën të pasur sërish. Ne do ta bëjmë Amerikën krenare sërish dhe të sigurt sërish. Dhe po, së bashku do ta bëjmë sërish Amerikën të madhe”, premtoi presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.

Top Channel