Veliaj: “Piramida”, vepër autentike publike e Tiranës

20/01/2017 00:00

Piramida do të shndërrohet në një hapësirë të hapur për publikun. Duke nisur nga kjo e premte Tirana do të ketë edhe kryetarin e saj të natës, i cili do të menaxhojë të gjithë aktivitetet kulturore  që zhvillohen në darkë apo koncerte të ndryshme.

Duke folur për projektin “Na ishte njëherë piramida”, në të ardhmen kryetari Veliaj garantoi se nuk do të jepet me koncesion dhe nuk do të ketë investim privat në të

“Nga sot, piramida do të jetë një hapësirë e hapur për publikun. Si Amsterdami, Londra. Do të kemi dhe një kryetar nate. Qytetet që jetojnë 24 orë kanë një ekonomi të mirë ndaj, ne duam një qytet që gjeneron jetë nate që sjellë ekonomi. Për të rikthyer jetën në këtë objekt në duart e publikut  ne do të kemi një staf, ku secili mund të rezervojë hapësirën për një ekspozitë për një shfaqje, koncert”, u shpreh Veliaj.

Arkitekti nga i studios holandeze MVRDV, Vini Mas shpalosi idenë e tij për t’ia kthyer piramidën si hapësirë për publikun, ku në një pjesë të saj shfrytëzohet për pikturë, në një pjesë tjetër të luhet muzikë, teatër e të tjera aktivitete.

Ai propozoi që të ishte një hapësirë pa dyer, madje t’i jepet jetë edhe hapësirës jashtë piramidës. Eventi i parë artistik ka nisur që në këto momente duke i dhënë jetë piramidës së projektuar si muze për ish-diktatorin Hoxha, sot ambient argëtimi për qytetarët e Tiranës. 

Top Channel