Gjysma tjetër e Obamës, zv.presidenti jo tradicional Joe Biden

20/01/2017 00:00

Kur i vuri në qafë Medaljen presidenciale të Lirisë, nderimi më i lartë civil që mund t’i bëhet një qytetari amerikan, Obama tha mes të tjerash se homazhi për zëvendësin e tij do t’i jepte internetit mundësinë e fundit që të tallej me atë që e quan “Bromanca” mes dy miqve të ngushtë.

Kur përzgjedhin njeriun që do të kenë në krah gjatë viteve që do të jenë në pushtet, kandidatët presidencialë zakonisht mendojnë për një person me të cilin të merren vesh mirë dhe të kenë një bashkëpunim sa më të rehatshëm.

Por për Obamën dhe Joe Biden gjërat ishin ndryshe. Nga loja e golfit në lëndinën e gjelbërt të Shtëpisë së Bardhë, tek akulloret që hanin së bashku, përqafimet dhe rrahjet e shpatullave, e deri te byzylykët e miqësisë, vështirë se dyshja presidenciale do të shpëtonte pa ndonjë nofkë.

Megjithatë, pavarësisht gafave si ajo e vitit 2010, kur i shpëtoi një fjalë e pahijshme me mikrofonin hapur, apo kur tha në 2009-n se “nëse bëjmë çdo gjë mirë, nëse e bëjmë me bindje absolute, sërish ka një mundësi prej 30% që të keqkuptohet”, apo edhe atij përqafimi të çuditshëm dhënë Hillary Clintonit, publiku e ka parë Biden me pozitivitet.

Zëvendëspresidenca e tij konsiderohet përgjithësisht e suksesshme, thotë eksperti politik Paul Williams. Dyshimi im është se Biden sot mund të shihet si një kontrast i këndshëm përballë Trumpit rrëmujaxhi. Biden ka qenë i padëmshëm gjatë viteve të tij në Shtëpinë e Bardhë. Nuk ka ofenduar askënd, nuk ka bërë akrobacira politike, e kjo është në fund të fundit një prej detyrave kryesore të zëvendëspresidentit. Gjatë sëmundjes së rëndë të të birit, ai u shfaq edhe si mbështetës i palëkundur i kërkimeve për kancerin.

Votuesit, shpjegon Williams, duan që udhëheqësit e tyre të jenë njerëzorë. Ne duam që udhëheqësit të jenë në fund të fundit si ne, vetëm se pak më të mirë. Karakteri mund të jetë thikë me dy tehe, personaliteti i fortë ndonjëherë rrezikon të kthehet në pengesë.

Top Channel