Trump pritet nga Obama në Shtëpinë e Bardhë

20/01/2017 00:00

Donald Trump mbërriti në Shtëpinë e Bardhë, atë që do të konsiderohet si shtëpia e tij për të paktën 4 vitet e ardhshme. Presidenti i zgjedhur dhe bashkëshortja e tij Melania u pritën në hyrje të ndërtesës më të famshme të botës nga presidenti në largim Barack Obama dhe Zonja e Parë e Amerikës, Michelle, mëngjesin e së premtes, vetëm pak para ceremonisë së bëtimit.

Obama i kërkoi presidentit të zgjedhur sesi ndihej teksa shtrëngonin duart për herë të fundit mes tyre. Melania Trump, ndërkohë, i dha një përqafim të ngrohtë zonjës Obama, përpara se t’i dhuronte një dhuratë nga Tiffany.

Dy çiftet presidenciale, njëri në largim e tjetri në prag betimi, vijuan më pas takimin duke konsumuar çaj në Shtëpinë e Bardhë, e më pas do t’i drejtoheshin që të dy ndërtesës së Capitol Hill, aty ku Trumpi do të betohet si Presidenti i 45-të i Shteteve të Bashkuara.

Më herët gjatë mëngjesit të së premtes, Trump veproi sipas mënyrës së tij me disa cicërima në “Twitter”. “Gjithçka nis sot! Lëvizja vazhdon, ndërsa puna fillon tani!”. Të gjithë fëmijët e tij do të jenë të pranishëm në ceremoninë e betimit, me përjashtim të djalit më të vogël, Barron, 10 vjeç.

E ndërsa presidenti i zgjedhur Trump dhe familja e tij merrnin pjesë në meshën e mëngjesit, Presidenti në largim Obama u pa teksa shkruante letrën e fundit për pasardhësin e tij në “Resolute Desk”-un e Zyrës Ovale, ashtu siç e do edhe tradita e ditës së betimit të presidentëve.

I pyetur nëse ndihej nostalgjik teksa rikthehej për herë të fundit në Shtëpinë e Bardhë, Obama tha “sigurisht!”. Ndërsa i pyetur nëse kishte një fjalë të fundit për popullin amerikan, ai u përgjigj: Faleminderit!

Top Channel