Protestat anti-Trump kthehen në të dhunshme. Rreth 100 të arrestuar

20/01/2017 00:00

Aktivistë të veshur me uniforma të zeza, të irrituar në lidhje me betimin e presidentit amerikan Donald Trump, arritën të thyenin xhamat e dyqaneve dhe automjeteve, si dhe bllokuan trafikun në Uashington, ndërsa u përleshën gjithashtu me policinë, e cila përdori gazin lotsjellës dhe granata tymuese.

Rreth 500 persona, disa prej të cilëve me maska, marshuan përmes sheshit qëndror të qytetit, duke përdorur çekiçë për të shkërmoqur edhe pllakat e trotuareve, për të qëlluar më pas xhamat e degës së Bankës së Amerikës dhe mjediset e një “McDonald’s”, të gjitha simbole të sistemit kapitalist amerikan.

Turma e njerëzve thërriste slogane kundër Trumpit, ndërsa shfaqën edhe slogane të tilla si “Bëjini racistët të frikshëm sërish”, një lojë fjalësh me sloganin e fushatës së biznesmenit njujorkez të kthyer në politikan “Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish”.

Incidentet ndodhën rreth 90 minuta përpara se Trumpi të betohej në Capitol Hill, rreth 2.4 km më larg. Policia arrestoi rreth 100 persona, ndërsa ka akuzuar edhe disa të tjerë për trazirat e shkaktuara. Grupi i të ndaluarve u kthye në pikë kyçe pas betimit të Trumpit, kur një turmë prej qindra personash që kishin bërë thirrje për lirimin e tyre vijuan me akte të dhunshme, duke hedhur shishe e gurë ndaj policisë, e cila u detyrua të përdorte edhe forcën veç gazit lotsjellës.

Dy oficerë policie pësuan dëmtime të lehta nga njerëzit që përpiqeshin t’i shmangeshin arrestimit. Jo shumë larg Shtëpisë së Bardhë, protestuesit u përleshën me policinë dhe në një moment hodhën edhe karrige alumini në një kafene me verandë.

Numri i personave që dolën jashtë për të parë betimin e mesditës së Trumpit, një ditë nën kërcënimin e reshjeve të shiut, ishin shumë më pak nga shifra e përllogaritur prej rreth dy milionë njerëzish që dolën ditën e betimit të ish-presidentit Barack Obama në vitin 2009.

FOTO GALERI
1/25

Top Channel