Tragjedi në Montecarlo, piloti aksidenton tifozin në rally

20/01/2017 00:00

Sezoni i ri i botërorit të rally nisi me një tragjedi. Gjatë Çmimit të Madh të Monte Carlo-s, piloti i Huyndait, Hayden Paddon shkaktoi një aksident pasi u përplas gjatë provës speciale të garës duke shkaktuar 1 viktimë.

Mësohet se shkak i aksidentit u bë asfalti i ngrirë kur makina e Paddon pasi u rrotullua, u përplasi me masën shkëmbore në anë të rrugës duke aksidentuar një tifoz që po ndiqte nga pranë garën. Ndihma në drejtim të tij ishte e menjëhershme pasi u dërgua menjëherë për në spital, por gjendja e tifozit ishte shumë e rëndë dhe ai nuk mundi dot të mbijetonte.

Në momentin e aksidentit, tifozi ishte i pozicionuar në një zonë të rrezikshme, në dalje të kthesës dhe ishte pa mbrojtje. Në raste të tilla nëse piloti gabon, pasojat janë vërtet tragjike. Prova speciale fillimisht u pezullua, por më pas drejtuesit e Botërorit të rally e anuluan atë. Këtë provë e fitoi Thierry Neuville, shok skuadre i Paddon te Huyndai.

Vetë Paddon foli për këtë ngjarje tragjike duke mos e fshehur hidhërimin e tij. Piloti nga Zelanda e Re më pas shprehu ngushëllimet e tij në drejtim të familjarëve të viktimës, mesazhe që m,ë pas u dhanë edhe nga vetë drejtuesit e Huyndait dhe ata të Botërorit të Rally.

Top Channel