Katër ditë pasi Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive nisi  kontrollin e pasurive të deputetit Alfred Peza dhe të familjarëve të bashkëlidhur me të, edhe Prokuroria e Përgjithshme ka regjistruar këtë të premte procedimin penal.

Organi i akuzës ka regjistruar procedimin për dyshimet e veprave penale për fshehje pasurie, pastrim të produkteve të veprës penale dhe falsifikim dokumentash.

Burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme pohojnë se menjëherë pas kësaj janë urdhëruar oficerët e policisë gjyqësore që të sekuestrojnë në ILDKPI të gjitha deklaratat e interesave private të deputetit Peza.

Urdhri ka dalë nga organi qendror i akuzës pak minuta pasi në këtë institucion, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla u takua me kreun e  ILDKPI-së, Shkëlqim Ganaj.

Takimi zgjati më shumë se një orë, ndërkohë që u shfaq në takim edhe kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, prania e të cilit zyrtarisht u deklarua pa lidhje me dosjen.

Se çfarë është diskutuar mes tyre nuk jepet asnjë qëndrim zyrtar. Më herët, ILDKPI ka deklaruar se ka nisur hetimin administrativ pas artikujve në media në lidhje me blerjen e aksioneve në bankën Credins nga bashkëshortja e deputetit me vlerën e rreth 1,13 miliardë lekëve.

Kontrollet nga ILDKPI nisën me urdhër të ILDKPI për kontrollin e të gjitha deklaratave të interesave private që prej vitit 2003 të deputetit Peza.

Top Channel