Moto GP, Ducati prezanton motorin e ri

20/01/2017 00:00

Pas Yamaha, është skuadra Ducati ajo që bën prezantimin e motorit të saj në prag të sezonit të ri të MotoGP.

“La Rossa” e zbuloi mjetin e saj Desmosedici 2017 në “Auditorium Ducati” të Bolonjës dhe synimi i saj për këtë sezon është të jetë në një luftë të hapur për titullin botëror, së bashku me Honda dhe Yamaha.

Në pamje të parë, motori i ri Ducati nuk ka shumë ndryshime. E reja në këtë pikë është mungesa e krahëve aerodinamikë, diçka që është e vendosur nga rregullorja e re e Botërorit të MotoGP. Ducati këtë vit do të ketë në radhët e tij 5 herë kampionin e Botës, Jorge lorenzo, i cili do të jetë shok skuadre me italianin Andrea Dovizioso. Lorenzos iu bë një pritje e ngrohtë në ambientet e Ducatit, gjë që e befasoi pilotin nga Majorka.

“Nuk e mendoja një pritje të tillë nga stafi i Ducatit”, deklaroi Lorenzo gjatë ceremonisë së prezantimit të motorit. “Përshtypjet e mia të para për mjetin janë pozitive. Ishte një ndryshim i rëndësishëm, pasi kalova shumë vite te Yamaha. Më befasoi qëndrueshmëria dhe fuqia e këtij mjeti”, tha Lorenzo.

Spanjolli foli edhe për objektivat e tij në këtë sezon, për të dhënë më pas edhe një mesazh për të gjithë tifozët e Ducatit: “Dua të shpallem sërish kampion bote, por është e vështirë të konkurrosh me kundërshtarë shumë të fortë. Kemi talentin, magjinë, fantazinë për t’u përmirësuar. Në këtë mënyrë do të vijnë rezultatet që dëshirojmë. Jam krenar që u bëra pjesë e Ducatit dhe dua të jap më të mirën time këtu”.

FOTO GALERI
1/12

Top Channel