Tragjedia në Itali, gjenden 8 persona ende gjallë

20/01/2017 00:00

Tetë persona janë gjetur të gjallë në hotelin “Rigopiano” të Italisë të mbuluar nga dëbora, pas ortekut gjigant të shkaktuar prej tërmeteve të së mërkurës në rajonet qëndrore të vendit.

Ekipet e shpëtimit sqaruan se, dy ditë pas episodit fatkeq kanë mundur t’i gjejnë këta njerëz poshtë një masivi me borë, megjithatë ende nuk janë nxjerrë të gjithë të bllokuarit. Dy prej të mbijetuarve janë fëmijë.

Katër vdekje janë konfirmuar deri tani nga ngjarja që tronditi Abbruzzon. Rreth 20 janë të zhdukurit, përpjekjet e shpëtimit të të cilëve vazhdojnë, edhe pse në kushte tejet të vështira. Ekipet e shpëtimit kanë 24 orë që punojnë pa pushim në vendngjarje, në temperatura shumë gradë nën zero.

Pas zbulimit të të mbijetuarve, ata kërkuan dërgimin e një helikopteri. Nga sa raporton agjencia italiane e lajmeve “ANSA”, një nënë dhe vajza e saj janë nxjerrë tashmë nga hoteli i tmerrit, e janë dërguar në spital.

Sipas medieve lokale, të mbijetuarit – 3 burra, 3 gra e dy të mitur, – kanë mundur të shpëtojnë pasi kanë qëndruar poshtë një pjese të shembur të tavanit. Ata kanë kaluar të paktën 40 orë “të varrosur” në borë e gërmadha.

Pamje të marra më herët nga hoteli luksoz treguan sasi të mëdha dëbore në hollin e tij. Forca e ortekut ishte aq e madhe sa e shkatërroi pjesërisht çatinë dhe, sipas disa njoftimeve e ka zhvendosur godinën me gati 10 metra.

Top Channel