Tranzicioni “elektronik”, Obama me Twitter të ri

19/01/2017 00:00

Përgjatë 8 muajve të fundit, Presidenti, Zonja e Parë dhe stafi i Shtëpisë së Bardhë kanë përdorur mediet sociale dhe teknologjinë për të komunikuar me njerëz anembanë vendit dhe globit, lidhur me çështjet më të rëndësishme të kohës sonë.

Që në fillim, misioni ishte ai i mbërritjes te njerëzit e thjeshtë përmes kanaleve dhe platformave, ku ata shpenzonin një pjesë të mirë të kohës së tyre. Kjo nismë nisi përpara se Obama të hynte në Zyrën Ovale në vitin 2009 e vazhdon edhe sot.

Ndonëse administrata aktuale ka mbërritur në fundin e rrugës së saj, mundësitë për të kontaktuar me çiftin Obama dhe bashkëpunëtorët e tyre nuk mbyllen këtu. Planet për ruajtjen dhe vazhdimin e trashëgimisë “online” të qeverisë në largim u parashtruan që në muajin tetor, e po punohet edhe për tranzicionin dixhital të saj.

Së pari, materialet e mbledhura gjatë këtyre viteve janë ruajtur në bashkëpunim me Arkivën Kombëtare dhe Administratën e Regjistrimeve. Po bëhen gjithashtu përpjekje që këto materiale të mbeten të aksesueshme në platformat ku u krijuan fillimisht.

Është duke u punuar që qeveria e ardhshme t’i përdorë në vazhdimësi, e mundësisht edhe t’i zhvillojë më tej rrugët dixhitale të komunikimit me njerëzit të cilëve u shërben. Asetet dixhitale që do të mbeten në shtëpinë më të famshme të botës janë adresat në “Twitter”, “Facebook”, “Snapchat”, “Instagram”, “Youtube”, “Medium”, “Tumblr”, “Flickr”.

Pas 20 janarit, informacionet e arkivuara të Administratës “Obama” do të jenë të përdorshme nga publiku, aty ku janë postuar përgjatë 8 viteve të kaluara, ndërsa ai vet, ashtu si dhe ish-Zonja e Parë dhe ish-zëvendëspresidenti Joe Biden do të vazhdojnë të përdorin mes të tjerash “Twitter”-in, “Facebook”-un e “Instagram”-in.

Top Channel