Shahini: Votimi elektronik, i mundur. Kostoja, 3-4 mln euro

19/01/2017 00:00

Votimi elektronik mund të jetë gati edhe për zgjedhjet e 18 qershorit. Pëllumb Shahini, autor dhe drejtor i projektit për votimin elektronik “ALVOT”, i cili ka provuar dy herë të realizojë një projekt pilot, tregon për Top Channel sesi me një kompjuter të thjeshtë, për pak sekonda, shqiptarët mund të bëjnë zgjedhjen e tyre.

“Procesi i votimit ndahet nga reforma zgjedhore. Ai është një proces teknik, fillon në 07:00 e mbaron në 19:00. Koha ekziston, ama ai duhet mbështetur në procedurat e Kodit Zgjedhor. Në qoftë se e ndajmë çështjen politike nga ajo teknike, koha është e mundur”, tha Pëllumb Shahini, drejtor ekzekutiv i projektit “ALVOT”.

Shahini shpjegon mënyrën sesi mund të votohet elektronikisht, për partinë apo kandidatin.

“Po e realizuam me ‘touch screen’ dhe me foto, është shumë më e lehtë sesa të orientohet në çarçafin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve prej 63 partish. Gjithçka zgjat 15 minuta dhe nuk ka lidhje as me fjalëkalimet apo me piratët kompjuterikë. Ka një kod që e vendos KQZ-ja për përdoruesin që do ta hapë dhe baza e të dhënave është e mbyllur”, tha më tej Shahini.

Sa i sigurtë dhe i manipulueshëm mund të jetë votimi elektronik?

“Nuk ka një votim elektronik pa një procedurë nga A në ZH. Kompania që fiton tenderin për logjistikën, i ka të gjitha pajisjet, me bateri apo UBS, edhe në rast ndërprerje energjie. Për 12 orë ajo siguron energji në mënyrë absolute. KQZ është i detyruar të sigurojë vetëm ambientet e qendrave të votimit, që mund të jenë shkollat, kopshtet e çerdhet siç kanë qenë vazhdimisht”, thekson Shahini.

Votimi elektronik nuk ka kosto të papërballueshme.

“Janë 4.500 QV në të gjithë Shqipërinë. Nëse një qendër votimi do të kishte dy kompjutera, njëri për identifikim dhe tjetri për votim, kostoja do të shkojë diku në 4 milionë euro”, përllogarit Shahini.

Pëllumb Shahini thotë se ekziston çdo mundësi për votimin elektronik që në zgjedhjet e ardhshme, por për mosrealizimin, ai fajëson politikën.

“Kur forcat politike janë në opozitë kërkojnë votim elektronik, sepse janë më të sigurta për votën”, thotë Shahini.

Një projekt pilot është realizuar në maj të vitit 2011 nga “ALVOT” në Tiranë, pak ditë para zgjedhjeve lokale, ku morrën pjesë 2.017 votues, sikurse edhe në 2009-n në të gjithë vendin, me 5.876 votues.

Top Channel