Orteku në Itali, dhjetëra të zhdukur nën dëborë dhe 4 viktima

19/01/2017 00:00

Kryeministri italian Paolo Gentiloni tha se italianët janë me frymën pezull, ndërsa skuadrat e shpëtimit kërkojnë për shenja jete në një hotel luksoz në male, të gllabëruar nga një ortek në Italinë Qendrore, duke varrosur nën tonelata borë dhe rrënoja rreth 30 persona.

Maja e çatisë dhe disa dritare ishin të vetmet pjesë të hotelit 4-katësh “Rigopiano”, ende të dukshme, pasi mali i borës u përplas mbi resortin me 4 yje në orët e para të së enjtes. Autoritetet thanë se rreth 30 vetë ndodheshin në ndërtesë në kohën e katasrofës, mes tyre dy fëmijë.

Por, kur kishin kaluar më shumë se 20 orë, vetëm dy të mbijetuar u gjetën; dy burra që kishin qenë jashtë hotelit kur orteku ra mbi të, ndërkohë që skuadrat e shpëtimit kanë mundur deri më tani të nxjerrin vetëm 4 trupa të pajetë.

Më herët, kryeministri Gentiloni kishte bërë apel për unitet kombëtar, duke thënë se Italia ishte mbërthyer nga një valë e paprecedentë tërmetesh dhe reshjesh të shumta bore, në të njëjtën kohë.

Operacionet e shpëtimit u penguan nga metra borë që kanë rënë në zonën e Gran Sasos ditët e fundit. Në disa zona të caktuara, trashësia e borës ka shkuar deri në 5 metra dhe borëpastruesit e kishin thuajse të pamundur për të pastruar rrugët malore.

Katastrofa ndodhi vetëm 4 orë pas 4 tërmeteve me magnitudë mbi 5 në Italinë Qendrore, duke ndezur edhe frikën për orteqe të mundshme. Mediet italiane raportuan ndërkohë se njerëzit që gjendeshin në hotel kishin bërë çregjistrimin dhe po prisnin ardhjen e borëpastrueses, që do të mundësonte hapjen e rrugës dhe largimin e tyre. Sidoqoftë, orteku ra para se ata të mund të largoheshin prej tij.

Top Channel