Nderime kreut të ri të shtetit!

19/01/2017 00:00

Donald Trump dhe familja e tij mbërritën në Uashington DC vetëm pak pasdites së kësaj të enjteje. Fillimisht zbriti nga avioni familja e presidentit të zgjedhur, me djalin e tij Barron që pasoi.

Pas 10-vjeçarit dolën Donald Jr. me bashkëshorten e tij Vanessa, por edhe 5 fëmijët e tyre. Eric Trump dhe Lara u pasuan nga dalja e Ivankës dhe Jared Kushnerit, me 3 fëmijët e tyre, e në fund radha i erdhi Tiffany Trump. Sigurisht që kishte edhe të afërm të tjerë të Donaldit.

Por, ata që priteshin me më shumë kërshëri, Donald dhe Melania, vonuan disi, për të dalë prej avionit me një përshëndetje për ata që i prisnin në bazë. Menjëherë pas mbërritjes në Uashington DC, Donald Trump postoi në rrjetin social “Instagram” një “selfie” të tijën duke dalë nga avioni, të shoqëruar me fjalët:

“Sapo zbritëm me Melanian dhe familjen time. Faleminderit të gjithëve për mbështetjen. Ju dua shumë dhe NE DO TA BËJMË AMERIKËN TË MADHE SËRISH!”.

Një foto të ngjashme të familjes e publikoi edhe Donald Jr., i cili e shoqëroi postimin e tij në “Instagram” me gëzimin se “më në fund ata ndodheshin në DC. Një eksperiencë thuajse e pabesueshme deri më tani”.

Presidenti i zgjedhur është parë teksa linte kullën “Trump” në Nju Jork me autokolonën e tij mëngjesin e së enjtes, teksa për destinacion kishin shtëpinë e tyre të re në “1.600 Pennsylvania Avenue”.

Vetëm pak minuta më vonë, ai mbërriti në Aeroportin “LaGuardia”, nga ku kreu të parin fluturim qeveritar, duke qenë tashmë komandant i përgjithshëm ushtarak, pasi në të kaluarën kishte udhëtuar me avionin e tij privat e për herë të fundit mbrëmjen e djeshme.

Trump zbriti në Uashington DC, pasi mbrëmjen e kësaj të enjteje do të marrë pjesë në koncertin përurues të tij. Më pas, ai do të vizitojë varrezat kombëtare të Arlingtonit, për të folur më tej në Memorialin e Lincolnit. Koncerti me muzikë “country” do të pasojë me hedhjen e fishekzjarreve, ndërsa të premten pasdite ai do të betohet edhe zyrtarisht si president i Shteteve të Bashkuara.

FOTO GALERI
1/19

Top Channel