Misioni i fundit i Obamës, SHBA bombardojnë ISIS në Libi

19/01/2017 00:00

E nisi me premtimin për t’u dhënë fund luftërave të Amerikës, por po e mbyll mandatin e tij të dytë dhe përfundimtar në sulm.

Barack Obama autorizoi sulme ajrore ndaj bazave të Shtetit Islamik në Libi, ku avionët “B-2” bombarduan dhe shkatërruan dy kampe dhe vranë të paktën 80 luftëtarë xhihadistë.

Sipas Sekretarit të Mbrojtjes, Ashton Carter, në objektiv ishin komplotues të ISIS-it që po organizonin sulme në Europë. Mësohet se misioni u autorizua disa ditë më parë nga presidenti amerikan dhe duket se është i fundit që del nga Zyra Ovale prej tij.

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se militantët ruheshin prej ditësh nga “drone”-t dhe Obama urdhëroi sulmin vetëm kur rezultati i tij ishte i sigurtë. Aprovimi i këtyre sulmeve në orët e fundit të presidencës thekson edhe njëherë vështirësinë e shënjestrimit të ISIS, që operon në dhjetëra vende në botë.

Obama, gjatë presidencës së tij zgjodhi që luftën ndaj Shtetit Islamik ta kryente me “drone”, avionë dhe forca speciale, taktika të rafinuara në Irak dhe Siri.

Zyrtarë të Shtëpsë së Bardhë thanë se, Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ta mbajnë Shtetin Islamik nën presion me sulme të tilla, në mënyrë që të mos gjejë kurrë qetësi për t’u riorganizuar, ndërsa lanë të kuptohet se “topi” tashmë kalon në fushën e Donald Trumpit, i cili gjatë fushatës ka premtuar se do ta zhdukë Shtetin Islamik, duke u treguar shumë më luftarak se paraardhësi i tij.

Top Channel