Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti është takuar me kreun e LSDM-së, Zoran Zaev. Ky është takimi i parë në nivel udhëheqësish mes Ahmetit dhe Zaevit, pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 11 dhjetor 2016.

Sipas një deklarate të BDI-së, në takim, në parim u diskutua për qëndrimet respektive që palët kanë prezantuar në këtë periudhë, pa hyrë në detaje ose biseda për çështje të veçanta konkrete.

Lidhja Social Demokrate, ndërkohë, ka zgjedhur të heshtë dhe nuk ka komentuar kushtet e vendosura nga partia e Ahmetit për krijimin e një qeverie.

Një ditë më parë, kreu i BDI-së u takua edhe me udhëheqësin e VMRO-DPMNE-së, Nikola Gruevski, duke pasur në plan të parë negociatat për një bashkëqeverisje të mundshme, por për rezultate konkrete duket se do të duhen takime të tjera.

Kërkesa thelbësore të BDI-së, që duket se i janë parashtruar të dyja partive politike kryesore maqedonase, janë zbatimi i dygjuhësisë në të gjithë territorin, zgjatja e mandatit të Speciales dhe vazhdimi i procesit të eurointegrimit.

Top Channel