Kosovë-Serbi, bisedimet e para pas “trenit”

19/01/2017 00:00

24 janari do të vendosë për herë të parë përballë Qeverinë e Kosovës dhe atë serbe në të njëjtën tryeze që pas incidentit të trenit me mbishkrime provokuese, i ndaluar në kufi nga pala kosovare.

Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Europian, Federica Mogherini ka ftuar përfaqësuesit e Prishtinës dhe Beogradit në një takim të nivelit të lartë në kuadër të bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve, më 24 janar në Bruksel.

Në një njoftim të zyrës së Mogherinit thuhet se “zhvillimet e ditëve të fundit kanë shtruar nevojën e një përkushtimi dhe angazhimi të shtuar nga të dyja palët në bisedime. Përparimi në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet i një rëndësie të madhe për të dyja palët, për Bashkimin Europian dhe Ballkanin Perëndimor në tërësi”.

Fundjavën e kaluar, autoritetet e Kosovës ndaluan hyrjen në Kosovë të një treni që ishte nisur nga Beogradi në drejtim të Mitrovicës i dekoruar me flamuj serbë dhe me mbishkrimin “Kosova është Serbi” në 20 gjuhë dhe ikonografi mesjetare.

Ky episod shkaktoi reagimin e ashpër të Beogradit, që shkoi deri në deklarata lufte, të dala nga fjalori i Presidentit Tomisllav Nikoliç.

Top Channel