Sondazhet në Francë, socialistët të fundit. Le Pen udhëheq

19/01/2017 00:00

Vetëm pak ditë para raundit të parë të “primareve” mes socialistëve francezë, cilido kandidat i së majtës rezulton të mbetet sërish pas 4 kandidatëve kryesorë për president në Francë.

Sondazhi i fundit i ndërmarrë nga “Cevipof” dhe i publikuar këtë të enjte nga “Le Monde” në faqen e internetit, tregon se udhëheqësja e Frontit Nacional të ekstremit të djathtë, Marine Le Pen paraprin ndaj të tjerëve me 25-26% të votave, nëse raundi i parë zgjedhor do të zhvillohej sot.

Menjëherë pas saj renditet konservatori François Fillon me 23-25% të përkrahjes popullore, ndërsa kandidati i pavarur Emmanuel Macron gëzon 17-20% të votave. Jean-Luc Melenchon i së majtës renditet në vendin e katërt, me gjasë duke grumbulluar 14-15% të votave, edhe pse ai konsiderohet me një avantazh me 5 deri në 7 pikë përpara çdo kandidati tjetër socialist.

Në fakt, shifrat e parashikuara nga ky sondazh ndryshojnë në varësi se cili kandidat socialist do të rezultojë fitues në primaret partiake, e gjithashtu në varësi të asaj nëse do të kandidojë apo jo kandidati i qendrës, François Bayrou.

Ish-kryeministri francez, Manuel Valls; ish-ministri i Ekonomisë, Arnaud Montebourg; si dhe Benoit Hamon, një ish-ministër i Edukimit; pritet të përballen mes tyre në raundin e parë të “primareve” socialiste që do të zhvillohen këtë të dielë. Raundi i dytë brenda së majtës pritet të mbahet më 29 janar, mes dy kandidatëve me rezultatet më të larta.

Ndërkohë, raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale franceze, që këtë herë zhvillohen sipas sistemit presidencial amerikan, do të zhvillohet më 23 prill, aty ku dy prej kandidatëve me votat më të shumta do të shkojnë në balotazhin e një muaji më vonë.

Raporti i “Le Monde” nuk jep asnjë parashikim mbi raundin e dytë, ndërsa sondazhe të tjera që parashikojnë një balotazh të mundshëm, thonë se Fillon do të mposhtë Le Penin. Por ka edhe skenare të tilla që flasin për një fitore të Macron.

Top Channel