Lufta ndaj terrorizmit, Turqia kalon nga mbrojtja në sulm

19/01/2017 00:00

Duke shprehur sërish vendosmërinë e vendit të tij në lidhje me operacionet ushtarake të ndërmarra në Siri dhe në Irak, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan ka premtuar se Turqia do të shkojë kudo ku e ka burimin kërcënimi terrorist.

“Turqia ka braktisur pozicionin mbrojtës dhe tashmë është hedhur në sulm”, tha Erdogan në një takim të kësaj të enjteje me kryepleqtë e fshatrave, të zhvilluar në pallatin presidencial. “Do të zhvillojmë betejën tonë kundër organizatave terroriste në Siri në kuadër të kësaj perspektive. Edhe në Irak do të ndjekim të njëjtën strategji”, shtoi ai.

“Përpjekja për marrjen e al-Babit vazhdon intensivisht, ndërsa DAESH (akronimi arab i Shtetit Islamik në Irak dhe Levant) tashmë po zmbrapset. Lufta kundër PYD (Partisë së Unionit Demokratik) dhe YPG (Njësive të Mbrojtjes Popullore) po vijon gjithashtu me vendosmëri. Nëse ka elementë që përbëjnë kërcënim për ne, ne do t’i shfarosim ata nga këto zona. Gjithmonë e kam thënë se duhen streha të sigurta pa terroristë. Kjo është e drejta jonë, pasi nëse qytetarët e mi janë vazhdimisht të kërcënuar nga këto rajone, është detyra jonë që t’i mbrojmë ata. Shteti ndaj ekziston”, u shpreh Erdogan.

Presidenti turk ka akuzuar sërish vende të tjera se kanë mbështetur drejtpërdrejt apo indirekt ISIS-in apo YPG-në, duke theksuar se kjo është arsyeja, përse ofensiva ushtarake e Turqisë në al-Bab është tejzgjatur. Ai nënvizoi se ndihmesa e dhënë ndaj tyre mund të kthehet më pas në problem për turqit.

“Do ta zgjerojmë fushëveprimin e betejës sonë, me parimin se ata që nuk e mbështesin Turqinë janë kundër Turqisë”, deklaroi Erdogan.

Top Channel