Votimi elektronik, LIBRA si opozita: Është i mundur

19/01/2017 00:00

Votimi dhe numërimi elektronik edhe për Ben Blushin duhet të jetë kusht i panegociueshëm për të siguruar zgjedhje të lira e të ndershme.

Mungesën e kohës, kryetari i LIBRA-s e sheh thjesht si alibi të partive të mëdha për të mos bërë asnjë ndërhyrje.

“Reformë zgjedhore nuk do të ketë. Këto zgjedhje do të jenë shumë të dyshimta dhe për këtë arsye mund të kemi një krizë të madhe pas zgjedhjeve”, ka deklaruar Blushi në një komunikim me mediat.

Për Blushin, 4 janë pikat ku komisioni i posaçëm ad-hoc duhet të ndërhyjë deri në fillim të shkurtit, kur mbaron dhe puna e tij.

“Administrimi i votës me votimin ose numërimin elektronik. Çështja e financimit. Po shkojmë në një fushatë shumë të shtrenjtë, ku gara mes dy partive të mëdha bëhet me para. Një Parlament më i vogël, me 100 deputetë. Dhe e fundit, që është themelore por që partitë e vjetra e sabotojnë me qëllim, vota e emigrantëve”, ka saktësuar Blushi.

Zgjedhjet e 18 qershorit e gjejnë Ben Blushin për herë të parë larg PS dhe me partinë e tij. Listën e cilit qark do të kryesojë ai për deputet?

“LIBRA ka përcaktuar në projektin e vetë që çështjen e projeksioneve ta diskutojë më vonë, në shkurt apo mars. Të përcaktojë nëse do marrë pjesë në një koalicion dhe nëse po, në cilin koalicion”, ka shtuar Blushi.

Pak muaj nga zyrtarizimi i partisë së tij dhe pak muaj larg nga zgjedhjet e qershorit, Blushi thotë se LIBRA do të bëjë rolin e opozitës, duke thënë se PD prej kohësh nuk po e bën këtë.

Top Channel