Komuniteti mysliman, ndihma për të izoluarit

19/01/2017 00:00

Solidarizim dhe angazhim për situatën e vështirë në zonat e thella për shkak të bllokimit nga i ftohti nga Komuniteti Mysliman, ka ardhur nëpërmjet mbledhjes dhe shpërndarjes së 60 tonë ushqimeve dhe veshmbathjeve.

“Janë mbledhur afërsisht 60 tonë ushqime dhe ndihma të tjera. Ne kemi bërë thirrje për ditë të xhumaje. Besimtarë, por edhe persona të tjerë na janë përgjigjur pozitivisht”, shprehet Ahmet Kalaja, imam i xhamisë së Rrugës së Kavajës.

Këto ndihma janë mbledhur pas thirrjes që i është bërë besimtarëve te premten e shkuar. Këto ndihma do të shpërndahen në Puke, Kukës, Has, Tropojë, Korçë, Pogradec, Burrel, Bulqizë etj.

“Këto ndihma nuk do të jenë të specifikuara për besimtarë myslimanë, por për njerëzit në nevojë. Kur njeriu bën bamirësi e merr shpërblimin te zoti, pavarësisht se çfarë feje dhe besimi ka tjetri”, thotë Kalaja.

Ndihma për familjet në nevojë do të shpërndahet nga myftinitë në zonat përkatëse dhe një pako do të përmbajë rreth 60 kg në artikuj si patate, miell, oriz, makarona, vaj, portokaj, shampo etj.

Top Channel