“Vettingu”, 100 ditët e fundit. Në 4 shkurt nis aplikimi

19/01/2017 00:00

Njerëzit e vettingut janë 25, por përzgjedhja e tyre do të kërkojë pak kohë. Më saktë, rreth 100 ditë. Këto 100 ditë është afati që kanë për të aplikuar dhe për të marrë vendime kandidatët, presidenti, operacioni ndërkombëtar i monitorimit dhe Parlamenti.

Sipas afateve ligjore, brenda muajit shkurt do të mësohet se kush do të jenë aplikantët dhe cilët prej tyre, presidenti, nën mbikëqyrjen e vëzhguesve ndërkombëtarë, do të fusë në listën e gjelbër, për ata që plotësojnë kriteret formale dhe në listën gri, ata që nuk plotësojnë kriteret formale.

Por në mars, çështja do të bëhet edhe më interesante sepse operacioni ndërkombëtar i monitorimit do të bëjë një listë të tretë, që në fakt është lista e zezë. Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë të drejtë të fusin në këtë listë edhe kandidatë që presidenti i ka përfshirë në listën e gjelbër.

Me këto 3 lista, 10-ditëshin e fundit të marsit do të vihet në lëvizje Kuvendi i Shqipërisë, i cili duhet të zgjedhë 3 komisione, të gjitha me përbërje të barabartë mazhorancë-opozitë.

Këto komisione kanë detyrimin të verifikojnë dhe më pas të përzgjedhin me një sistem elektronik listën që do t’i shkojë për votim në bllok Parlamentit.

Një proces të cilit ligji i ka dhënë afat 30 ditë dhe që llogaritet të kryhet deri nga fundi i muajit prill. Më pas janë disa ditë që Parlamenti të votojë në bllok me 3 të pestat listën e përzgjedhur dhe që organet e vettingut të nisin nga puna.

Megjithëse 100 ditët janë afatet maksimale që detyron ligji, ky është skenari kur gjithçka do të shkojë mirë dhe procesi nuk do të bllokohet në Parlament.

Koha e votimit të organeve të vettingut është më delikatja e mundshme, sepse Parlamenti është në fushatë elektorale, i ekspozuar ndaj vendimmarrjeve me interes elektoral.

Top Channel