Rritja ekonomike, specialistët: Po forcohet, por efektet minimale

19/01/2017 00:00

Shifrat zyrtare të ekonomisë shqiptare tregojnë një shendet në rritje. e thotë këtë instat, por edhe banka e shqipërisë dhe institucionet ndërkombëtare. Por a është vërtetë kështu?
 

Specialistët e pavarur pohojnë se rritja ekonomike tashmë ka hyrë në një fazë stabiliteti, por efektet e saj më të ndjeshme në mirëqenien e qytetarëve do duan ende kohë të ndihen.

Për Adrian Civicin, ekonomia e ka kaluar fazën më të vështirë të krizës dhe tani ka hyrë në një cikël të qëndrueshëm rritjeje.

“Shqipëria, nga viti 2013 kur arriti një nivel shumë të ulët, ka hyrë në një cikël rritës nga 1 për qind në 3.4, me perspektivë për të arritur në 3.8, ose edhe 4 për qind. Pra, në shtratin ku po lëviz ekonomia shqiptare tendencat janë pozitive”, thotë Civici.

Edhe Nikolin Jaka ndan të njëjtin mendim duke shpresuar që kjo tendencë të vazhdojë. “Shpresojmë që edhe viti 2017 të shoqërohet me rritjen në shifër të rritjes ekonomike të vendit”, thotë Jaka.

Por a është kjo rritje e mjaftueshme për të ndikuar masivisht mirëqënien e qytetarëve?

“Jo, natyrisht që nuk është e mjaftueshme. Shqipëria ka nevojë për një rritje të paktën për 1 dekadë në nivel 7, 8, 9 dhe 10 për qind, që të marrë ritmin e duhur dhe të futet në zhvillimin e mirëfilltë ekonomik”, nënvizon Civici.

Por si mund të arrihet kjo? Edhe këtë herë biznesi e ka gati përgjigjen.

“Ne do krijojmë kushte të favorshme për të thithur investitorët e huaj dhe vendas, që paratë e tyre t’i investojnë në ekonominë shqiptare”, thotë Jaka.

“Dhe kjo prek në thelb strukturën ekonomike, investimet, cilësinë e kapitalit human, politikat e mirëfillta zhvilluese që mund të zgjidhin këto probleme”, vijon Civici.

Për vitin 2017 rritja ekonomike pritet të përshpejtohet mbi 3.7 për qind, nga rreth 3.4 që vlerësohet për vitin e kaluar.

Top Channel