Ajri i pastër kur s’ka makina, matjet në ditët e pushimit dhe të ftohtit

19/01/2017 00:00

Ato çfarë po dëmtojnë mushkëritë e banorëve të kryeqytetit, janë  grimcat që thithin çdo ditë nëpërmjet ajrit të shkaktuar nga karburanti i automjeteve që qarkullojnë çdo ditë në rrugët e Tiranës.

Bashkia e Tiranës ka monitoruar ndotjen e ajrit në ditë të zakonshme me trafik, por dhe në ditët e para të janarit, ku qytetarët ishin pushim dhe vlerat zbresin nga 90 mikrogram për metër kub në 30 mikrogram.

“Bëhet fjalë për vlerat e PM10. Vlerat në ditë normale shkojnë edhe në 90, ndërsa në ditët e pushimit apo në ditët e ngricave këto vlera shkuan edhe në 30 mikrogram”, shprehet Diana Mile, drejtoreshë e planifikimit të politikave të mjedisit.

Niveli i ndotjes në Tiranë pati një rënie me 15 %  gjatë vitit 2016 krahasuar me vitin 2015.

Por, ai është ende shumë larg normës mesatare të Bashkimit Europian për PM10 është 60 mikrogram për metër kub. Bashkia thotë se edhe elementë të tjerë të cilat shkaktohen vetëm nga automjetet.

“Komponentët të cilët janë në vlera shumë të larta, në ditët kur përdoret shumë transporti. PM10 janë grimca të vogla të shkaktuara nga djegia e karburantit dhe përdorimi i transportit në këtë zonë. Është vlera e dioksidit të azotit dhe benzeni që është në vlera limit”, thotë Mile.

Por përtej këtij fakti të thjeshtë, qëndron edhe realiteti i Tiranës, një metropoli që përveç autobusëve të linjave dhe mjeteve private, nuk ka akoma një rrjet modern dhe ekologjik transporti publik elektrik. E deri atëherë, qytetarët e Tiranës do t’u besojnë makinave për qarkullimin e tyre ditor.

Top Channel