Teheran, të paktën 20 zjarrfikës të vrarë nga shembja e ndërtesës

19/01/2017 00:00

Të paktën 20 zjarrfikës u vranë, pasi ndërtesa e lartë ku ata po përpiqeshin të fiknin një zjarr masiv u shemb. Tragjedia ndodhi në Teheran dhe kreytari i bashkisë së kryeqytetit konfirmoi numrin e viktimave.

Rreth 200 zjarrfikës luftonin prej orësh me flakët në ndërtesën 17-katëshe “Plasco”, e cila për shkak të dobësimit të strukturës së saj nga zjarri, u shemb brenda pak çastesh. Rreth 70 njerëz të tjerë mbetën të plagosur në këtë incident, 23 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Ndërtesa funksiononte si qendër tregtare, ndërsa aty gjendeshin gjithashtu disa punishte tekstilesh. Shkaku i zjarrit nuk dihet ende, por autoritetet lokale në Teheran njoftuan se menaxherët e ndërtesës ishin paralajmëruar disa herë për probleme sigurie.

Disa zjarrfikës, që i mbijetuan tragjedisë, thanë se ndërtesa dha shenja që po shembej, pasi u lëkund për disa minuta dhe në muret e saj u shfaqën të çara. Ata më fatlumët dhe në katet e ulëta të saj mundën që të dilnin jashtë, ndërsa për shumë të tjerë ishte tepër vonë.

Ekipet e emergjencës thanë se ende nuk është e qartë sa njerëz ishin brenda në ndërtesë, kur ajo u shemb, dhe ka mundësi që bilanci makabër të rritet. Shumë njerëz të mbledhur rreth rrënojave të ndërtesës thanë se kishin të afërm që punonin në bizneset e shumta brenda saj, për të cilët nuk kanë asnjë lajm.

Top Channel