Femrat kundër meshkujve, Lindsey Vonn “ringjall” sfidën

19/01/2017 00:00

Lindsey Vonn ringjall projektin e saj për një sfidë të barabartë me meshkujt në sportin e skive. Amerikania, që ka fituar më shumë gara në Kupën e Botës, 76 e ka përcaktuar tashmë vendin dhe datën e zhvillimit të kësaj sfide; do të ndodhë në vitin 2018, në Lake Louise ku ajo ka mundur të fitojë plot 18 herë.

Herën e parë që Vonn foli për mundësinë e garimit në kategorinë e meshkujve ishte në vitin 2012, por Federata Ndërkombëtare e Skive e kundërshtoi këtë ide të saj. Por amerikania duket se nuk u dorëzua dhe lëshoi sërish sfidën duke gjetur dhe mbështetjen e Drejtorit Teknik të Federatës amerikane të Skive, Patrick Riml.

Pista e Lake Louise ku është përcaktuar të garojë Vonn së bashku me kolegët e saj, është e njëjtë si për meshkuj ashtu edhe për femra  e shoqëruar edhe me pak vështirësi teknike.

Lindsey Vonn nuk është e vetmja që guxon të sfidojë meshkujt në disiplinën e saj sportive. Më parë një tentativë të tille e bëri golfistja Annika Sorendtam në vitin 2003 në Forth Worth, pa mundur të kalojë. Në 1973, në tenis, Bille Jean King arriti të mposhtë Booby Riggs 3-0 në atë që u quajt Beteja e Gjinive. Ndërsa në 1992 Manon Rheaume u bë e para femër portiere që luajti ne një ndeshje të kampionatit të Hokejt në SHBA.

Në Lojërat Olimpike të vitit 2020, do të ketë një garim mes femrave e meshkujve në qitje me pistolë e karabine nga 10 m.

Top Channel