PD: Rama të shpjegojë pasurinë e deputetit të tij

19/01/2017 00:00

Partia Demokratike, përmes zëdhënëses Ina Zhupa ka akuzuar qeverinë për mashtrim me të ardhurat e deputetit Alfred Peza, duke hedhur dyshime për mënyrën se si drejtoritë e kryeministrit Rama do bëjnë vetingun për drejtësinë.

“Deputeti i Edi Ramës, Alfred Peza, në përpjekjen për të justifikuar pasurinë duket se ka kryer një mashtrim tjetër. Peza tha se është paguar deri në 10 mijë euro në muaj në media dhe se ka qënë i adhuruar për këtë. Por një dokument që ka dalë në media tregon se ai është paguar me 800 mijë lekë të vjetra në muaj. Dokumenti është një vendim gjykate dhe nuk besohet se ka shkresë më zyrtare në vend sesa një vendim gjykate”, ka thënë Zhupa.

Sipas saj, në këto kushte publiku ka të drejtë të dijë: “A është paguar 10 mijë euro në muaj deputeti i Ramës, apo 800 mijë lekë të vjetra në muaj? Nëse Peza është paguar aq sa pretendon, a i ka paguar taksat? Taksat që shkojnë nga 2.300 euro në muaj deri në vitin 2008 dhe 1.000 euro në muaj pas vitit 2008 kur u vendos taksa e sheshtë? Po institucionet e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë, mbi cilat dokumente punojnë, mbi pretendimet e Pezës, apo dokumentat zyrtare?”, ka thënë Zhupa.

Rrjedhimisht, ka vijuar ajo, lind pyetja: “Kështu do ta bëjnë ata dhe vetingun e gjykatësve dhe prokurorëve, siç kanë vepruar me deputetin socialist?”.

“Qytetarët e kanë dëgjuar variantin e deputetit. Për të gjitha këto çështje, sot është mirë të përgjigjet Edi Rama”, ka shtuar Zhupa.

FOTO GALERI
1/1
Dokumenti i gjykatës për rrogën e Alfred Pezës

Top Channel