Depay largohet nga Manchester United

19/01/2017 00:00

Memphis Depay do të vijojë karrierën e tij në kampionatin francez të futbollit. Manchester United arriti akordin me Olympique Lyon për transferimin e futbollistit për një shifër prej 16 milionë paundësh, shifër kjo që pritet të shkojë në 21.7 milionë së bashku me bonuset.

Depay tashmë ka udhëtuar drejt Francës për t’u takuar me drejtuesit e Lyon dhe për të diskutuar detajet e kontratës së tij të re.

Memphis Depay u transferua te Manchester United nga PSV Eindhoven në majin e vitit 2015, për një shifër prej 25 milionë paundësh. Deri tani ai ka luajtur 53 ndeshje me “Djajtë e Kuq” dhe ka shënuar 7 gola. Aktivizimi në këtë sezon, duke nisur që nga fundi i muajit tetor, ka qenë i pakët, kjo për faktin se trajneri Mourinho ka preferuar lojtarë të tjerë si Mkhytarian, Mata, Martial dhe Lingaard.

Një situatë kjo që e shtyu atë të kalojë tek Olympique Lyon, që ndodhet në vendin e katërt në kampionatin francez, me 11 pikë më pak se kryesuesit e Monaco.

Top Channel