Statuja antike e Budës zbulohet në një rezervuar uji

19/01/2017 00:00

Një statujë antike e Budës, që besohet të jetë krijuar 600 vite më parë, u zbulua në provincën jugore të Jianxisë, në Kinë, pas rënies së niveleve të ujit në një rezervuar.

Koka e statujës u evidentua në rezervuarin e Hongmenit, në fund të vitit të kaluar, gjatë punimeve rinovuese në portën e hidrocentralit, siç bën me dije agjencia e lajmeve Xinhua. Arkeologët thonë se dizajni i kokës së Budës sugjeron se ajo ishte gdhendur gjatë dinastisë Ming, që sundoi nga 1365 deri në 1644.

Ndërkaq, sipas tyre, në zonë ishin gjetur prova që sugjeronin se aty mund të ketë ekzistuar një tempull. Mediat flasin për zbulimin e mbetjeve të tempullit nën ujë. Teknologji moderne, si hidrolokator e pajisje të tjera, do të përdoren për realizimin e imazheve nënujore dhe për të grumbulluar më shumë të dhëna për kërkime të mëtejshme.

Top Channel