Itali, ortek mbi hotel; 30 persona nën borë

19/01/2017 10:00

Tërmeti i së mërkurës në Italinë qendrore konsiderohet shkaktari i ortekut të fuqishëm të përplasur mbi një hotel pranë malit Gran Saso të Abrucos. Ka shumë të vdekur, thotë Antonio Kroçeta, kreu i ekipit të shpëtimit që mbërriti në vendngjarje me ski gjatë natës.

Rreth orës 9 e 30 të mëngjesit, prej strukturës së mbuluar nga bora është nxjerrë viktima e parë. Brenda në hotelin Rigopiano mësohet të ketë pasur rreth 30 vetë, 7 prej të cilëve pjesëtarë të stafit, ndërsa të tjerët turistë. Ishin banorët lokalë në Farindola ata që lajmëruan shërbimet e emergjencës, por një stuhi dëbore dhe bllokimi i rrugëve e bëri të vështirë mbërritjen në hotel.

20 zjarrfikës u drejtuan menjëherë për atje me të marrë lajmin e ngjarjes së rëndë, së bashku me dy skuadra udhërrëfyesish malorë, por u penguan nga bora e pemët që rrëzoheshin. Për këtë arsye, punonjësit e shpëtimit u detyruan të përdornin skitë për të arritur sa më shpejt që të ishte e mundur. Të afërmit janë këshilluar të ruajnë qetësinë, por as ata vetë nuk kanë shumë informacion mbi situatën.

“Më duket se kanë nxjerrë disa njerëz nga hoteli e po i dërgojnë në spital. Por, nuk e di me siguri sepse është e pamundur për ne që të shkojmë atje. Më vjen keq, nuk them dot më shumë”, shprehet një banor i zonës.
 
Një valë tërmetesh të forta goditën një ditë më parë po atë zonë të Italisë që doli thuajse e shkatërruar nga lëkundjet vdekjeprurëse të tokës vitin që shkoi. Tërmetet e magnitudave 5.3, 5.7 dhe 5.6 ballë ranë që të gjithë brenda harkut kohor të një ore.

FOTO GALERI
1/2
Lëkundjet e vazhdueshme të tokës në Italinë qendrore kanë rezultuar fatale për personat që po qëndronin në hotelin Rigopiano, në rajonin e Abrucos.

Top Channel