Itali, tërmete dhe borë

18/01/2017 00:00

Presidenti i rajonit italian Marche i përshkroi tre tërmetet që goditën zonën të mërkurën si një katastrofë dhe bëri apel për ndihmë.

Luca Ceriscioli tha se tërmetet dhe bora kanë shkaktuar rrëshqitje dheu dhe mijëra familje kanë mbetur pa energji elektrike, ndërsa disa fshatra kanë mbetur të izoluar.

Nuk ka raporte për viktima si pasojë e tërmeteve, që të tre mbi 5 ballë. Rajoni i Marche ishte një prej të goditurve më rëndë nga tërmeti i tmerrshëm i 24 gushtit që vetëm në këtë zonë i kushtoi jetën 298 njerëzve.

Ndërsa me borën e dendur dhe motin e keq kthehen edhe lëkundjet sizmike, Ceriscioli tha se është e kuptueshme që njerëzit janë mjaft të trembur dhe kanë nevojë për ndihmë. Ai tha se prioriteti i autoriteteve lokale është që të garantojnë sigurinë e njerëzve dhe po shqyrtohet nevoja e hapjes së qendrave të emergjencës.

Në këtë kuadër, shefi i komisionit evropian Jean Calude Juncker premtoi se Italia nuk do ët jetë e vetme në këtë situatë. Tërmetet në zonën e Marche pasojnë tërmetin që goditi po të mërkurën kryeqytetin, duke detyruar autoritetet që të mbyllin sistemin e metrosë si një masë paraprake.

Top Channel