Akademia e Shkencave u përfshi në debate për zgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe atij të Prokurorisë, pasi sipas ligjit, njëri prej anëtarëve duhet të jetë pjesë e shoqërisë civile.

Në mbledhjen e Asamblesë, pati diskutime lidhur me 4 emrat e propozuara nga Kryesia, përkatësisht Muzafer Korkuti, Vasil Tole, Marenglen Verli dhe Ethem Lika.

Debati mbi këta emra erdhi pas një letre dërguar nga Artan Fuga, i cili i kundërshton ata, pasi sipas tij, kandidaturat nuk janë diskutuar më parë në Asamble.

Fuga nuk ishte i pranishëm në mbledhje, por ideja e tij u mbështet nga disa akademike.

Beqir Meta: Kryesia bëri një gabim që propozoi vetë katër persona. Do të thotë që Kryesia në mënyrë apriori u hoqi të drejtën disa të tjerëve që të votoheshin.

Floresha Dado: Nuk më la shije të mirë që unë propozoj veten time. Edhe ky ishte një gabim taktik që nuk duhet ta kishim bërë.

Gjovalin Shkurtaj: Mirë është që përpara se të vijë puna për të votuar njerëzit, të thuhen kriteret.

Në përfundim të debateve, shpeshherë edhe me tone të larta, u vendos që mes kandidaturave për votim të ishin dhe emrat e Artan Fugës, Floresha Dados e Beqir Metës, duke hequr emrin Ethem Likës për shkak të mosplotësimit të kriterit të moshës.

Debate pati dhe mbi mënyrën e votimit, nëse ai duhet të ishte i hapur apo i fshehtë, debat i cili u zgjidh vetëm me anë të votimit të 20 akademikëve të pranishëm në mbledhje.

Në përfundim të votimit, shumicën e votave e morën e Beqir Meta dhe Muzafer Korkutit për në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Vasil Tole e Floresha Dado për në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit. Artan Fuga u rrëzua.

Top Channel