13-vjeçari shqiptar që shkruan romane erotike

18/01/2017 00:00

I ftuar në “Pasdite në Top Channel” ka qenë një personazh i pazakontë. 13-vjeçari Jason Vasha është shkrimtar dhe aktualisht ndër 100 më të shiturit në “Amazon”, një prej kompanive më të mëdha në botë të shitjeve në internet.

13-vjeçari shkruan romane erotike dhe jo vetëm, të gjitha në anglisht.

Jasoni ka lindur në Miçigan të Shteteve të Bashkuara. Gjinitë që lëvron janë Suspance, Romance dhe Bashkëkohor. Është i ndikuar nga shkrimtaret Anne Rice, E.L James, Alice Sebold, Susan Collins, Shakespeare etj. Ai është konsideruar një nga shkrimtarët më të rinj që shkruajnë novela erotike.

Për “Pasdite në Top Channel” djaloshi tregoi se ka dashur gjithmonë të shkruajë histori të cilat njerëzit do t’i pëlqenin shumë. Ëndrrat e tij u bënë realitet kur ai e detyroi veten të ulej e të shkruante një libër. Dy novelat e tij “Kam pritur” dhe “Spiralja” janë nderuar me çmime.

Nëse kërkon në faqen e “Amazon” me emrin e tij të rezulton ndër të tjera që novela e tij “Miliarderi takon milionerin” është shitur e gjitha.

Novela tjetër super e shitur “Princi im, miliarderi” përmban 132 faqe. Ai flet për një vajzë, Aleksia Plakun. Pasi i vriten prindërit dhe e motra shtrohet në spital, Aleksia aplikon për punë në “Bakingam Palas” si shërbëtore. Ajo takohet me kuzhinierin Xhejms. Vajza e kupton menjëherë se e pëlqen shumë djalin. Por kur takon princin William, ai bie në dashuri me të e po ashtu edhe ajo. Aleksia lufton të mbajë vendin e punës dhe t’i japë përgjigje pyetjes së vështirë “Kë burrë do me të vërtetë?”

I ftuar i Jonida Shehut në “Pasdite në Top Channel”, Jasoni tregoi se kur nuk shkruan luan basketboll, filmon video të shkurtra, del me shokët dhe shikon filma horror ose aventurë.

Në Shqipëri jeton prej 5 vjetësh, por synimi i madh i tij dhe familjarëve është të rikthehen në Amerikë.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel