Moti me reshje, akset të kalueshme; probleme në zonat e thella

18/01/2017 00:00

Situata e motit me temperatura të ulëta dhe erëra të forta e ka shtuar praninë e emrgjencave civile që ndodhen në të gjithë territorin e vendit me shpërndarjen e ndihmave dhe normalizimin e qarkullimit rrugor.

Prej mëngjesit të së mërkurës rifilluan reshjet e dëborës në Peshkopi dhe Korçë, të cilat u intensifikuan gjatë pasdites.

Sidoqoftë, akset kryesore të rrugëve janë të kalueshme pa zinxirë, por e vështirë paraqitet gjendja në zonat e thella në veri-lindje të vendit, përkatësisht në qarqet e Dibrës, Kukësit dhe Shkodrës, sikurse dhe disa akse në jug-lindje, në qarkun e Korçës.

Kalimi vështirësohet edhe në pika të caktuara, ku haset edhe prania e akullit. Njëkohësisht, shumë fshtra të këtyre zonave mbeten të bllokuara prej ditësh, çka ka sjellë vështirësi për banorët, të cilët raportojnë edhe për mungesë rezervash ushqimore.

Në shumë prej tyre, banorët kanë tentuar t’i hapin vetë rrugët, por pa rezultat. Të bllokuara gjenden fshatrat e njësive administrative Arren dhe Zapod, në Kukës; njësia administrative Selishtë në Dibër, ku trashësia e dëborës shkon deri në 60 cm; dhe njësitë Orosh, Fan dhe Nenshejt në Lezhë.

Në jug të vendit situata paraqitet më e qetë. Në Tepelenë raportohet për rrëshqitje të masivit shkëmborë përgjatë aksit me Gjirokastrën, pranë vendit të njohur si Shkalla e Zezë. Ndërsa të bllokuara mbeten zonat e thella në Gjirokaster si Kurveleshi, Zagoria dhe Buzi.

Top Channel