Çimka në zyrën e Tahirit, prokuroria mbyll hetimet

18/01/2017 00:00

Pas tetë muajsh, njësia taks forcë pezulloi hetimet që synonin të zbulonin personat që kishin vendosur një pajisje transmetuese të zërit në paradhomën e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.

Megjithëse ekspertët e këqyrën këtë pajisje, ata nuk mundën të përcaktonin se kur aparati marrës ishte instaluar në paradhomën e ministrit Tahiri, ndërkohë që as kamerat e sigurisë, të kontrolluara, nuk mundën të identifikojnë persona të dyshimtë që kishin akses në këto ambjente.

Prokurori i çështjes, që nga muaji maj ka kryer një sërë veprimesh hetimore bashkë me policinë shkencore, por ka qenë e pamundur të zbulohej autori i dyshuar.

Pajisja u zbulua pranë një letërgrirëseje dhe menjëherë nga Ministria e Brendshme u depozitua kallëzimi në prokurori.

Për këtë çështje u mor në pyetje edhe sekretarja e ministrit të Brendshëm, por nuk dolën të dhëna me vlerë që do të finalizonin gjetjen e të dyshuarve. Prokuroria thotë se hetimet do të mbeten të pezulluara derisa të dalin të dhëna me interes për dosjen.

Top Channel