Meksikë, 12-vjeçari qëllon mësuesin dhe dy nxënës

18/01/2017 00:00

Një adoleshent ka qëlluar një mësues dhe dy nxënës, në një moment “çmendurie” siç raportojnë mediet mbi ngjarjen e ndodhur në Monterrey të Meksikës.

Agresori thuhet të jetë një nxënës 12-vjeçar. Viktimat e këtij tërbimi nga nxënësi i armatosur thuhet të jenë plagosur rëndë. Ngjarja ka ndodhur në Kolegjin amerikan të Verilindjes (ACN) në Monterrey, Nuevo Leon.

Manuel Florentino Gonzales, sekretar i qeverisë lokale të Nuevo Leon, deklaroi se i mituri Federico Guevara, 12 vjeç, hyri në shkollë me një pistoletë të kalibrit 22 mm, e qëlloi pa dallim ndaj nxënësve të tjerë. Ndërsa zëdhënësi i sigurisë së Nuevo Leonit, Aldo Fasci konfirmoi se edhe agresori është plagosur, në këtë incident të paprecedentë sipas tij.

“Në kamerat e sigurisë mund të shikoni të miturin të nxjerrë armën, të qëllojë ndaj një mësuesi dhe një nxënësi”, tha Fasci për një televizion lokal. “Ai qëndroi aty për pak, e drejtoi armën ndaj nxënësve të tjerë dhe pak minuta më vonë qëllon sërish. Ende nuk kemi një motiv për këtë veprim”, tha ai.

Shërbimet e emergjencës dhe policia kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, ndërkohë që edhe prindërit e nxënësve të këtij kolegji janë mbledhur jashtë ambienteve të tij.

Top Channel