Gent Sejko në Singapor: Shqipëria, mundësi e shkëlqyer për investitorët

18/01/2017 00:00

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Forumin “Mbi shkëmbimet tregtare dhe investimet Singapor – Shqipëri”. Forumi synonte ngjalljen e interesit dhe promovimin e Shqipërisë përpara investitorëve potencialë.

Shqipëria u përfaqësua në këtë forum me një delegacion të nivelit të lartë të kryesuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Pjesë e delegacionit ishin gjithashtu anëtarë të kabinetit qeveritar, anëtarë të Shoqatës Shqiptare të Bankave, Drejtori i Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve (AIDA), si dhe përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Në këtë forum, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë bëri një ekspoze të situatës makroekonomike të vendit për të gjithë investitorët e huaj në takim. Në fjalën e tij, ai theksoi se Shqipëria, pavarësisht situatës sfiduese të kohëve të fundit në partnerët kryesorë, ka shfaqur shenja të qarta përmirësimi, si trendi rritës i rritjes ekonomike. Gjithashtu, ambienti i përgjithshëm ekonomik i krijuar në vendin tonë ofron mundësi për rritjen e produktivitetit të investimeve të huaja në vend. Kombinimi i politikës monetare lehtësuese me politika fiskale konsoliduese ka ndikuar në qëndrueshmërinë e ekuilibrave makroekonomikë të vendit.

Një dimension tjetër ku u ndal Sejko ishte sektori financiar në Shqipëri. Guvernatori u shpreh se institucioni që ai përfaqëson ka ndërmarrë reforma të rëndësishme, që synojnë të përmirësojnë qasjen financiare në ekonomi, duke minimizuar rreziqet e sektorit dhe duke stimuluar rritjen e financimit për ekonominë. Vitet e fundit, Shqipëria dallohet si një vend me stabilitet financiar, ku një promotor i fuqishëm ka qenë edhe sektori bankar, gjendja e të cilit në raport me kapitalizimin, likuiditetin dhe shëndetin financiar është shumë e favorshme dhe ofron mundësi të shumta për të bërë biznes.

Në fund të fjalës së tij, Sejko theksoi edhe njëherë një sërë avantazhesh që gëzon sektori financiar i vendit, si kostot e ulëta të financimit falë ambientit të qëndrueshëm financiar, likuiditeti i bollshëm i sektorit bankar i cili është i aftë të përballojë nevojat financiare për investime, si dhe potenciali real që ekziston për aktorë të rinj në treg. Karakteristika këto që e kthejnë vendin tonë në një destinacion me avantazhe konkurruese në rajon dhe ofrojnë mundësi të shkëlqyera si për investitorët, ashtu dhe për një bashkëpunim ekonomik dhe financiar midis dy vendeve në të ardhmen.

Top Channel