Haradinaj mund të mos fitojë lirinë deri më 13 shkurt

18/01/2017 00:00

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj mund të mos kthehet në Kosovë deri më 13 shkurt.

Avokati i tij, Arianit Koçi sqaron se afati maksimal i kërkesës për ekstradim me dokumente shoqëruese nga ana e Serbisë është 40 ditë prej momentit të arrestimit të Haradinajt.

Ky i fundit është ndaluar nga autoritetet franceze më 4 janar dhe, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, mund të qëndrojë në Francë deri më 13 shkurt.

Koçi thotë se Serbia po e zvarrit qëllimisht kërkesën për ekstradim, me qëllim që ta mbajë atë sa më gjatë në Francë.

“Serbia e di që nuk ka rast penal kundër Haradinajt, prandaj tenton ta zvarrisë procedurën ekstraduese me çdo kusht. Sidoqoftë, afati maksimal për dërgimin e kërkesës për ekstradim me dokumente përcjellëse nga ana e Serbisë është 40 ditë prej momentit të arrestimit të Haradinajt”, ka thënë Koçi për mediet kosovare.

Serbia në raporte dhe marrëveshje ndërkombëtare, sipas avokatit po vepron me keqbesim, duke tentuar që Haradinajn ta dëmtojë dhe demonizojë. Ish-komandanti i UÇK-së për rajonin e Dukagjinit u ndal para dy javëve në Aeroportin e Bazelit nga ana e autoriteteve franceze, mbi bazën e një fletarresti serb.

Top Channel