CIA publikon 13 mln dokumente të paklasifikuara

18/01/2017 00:00

Agjencia Qendrore e Inteligjencës amerikane (CIA) ka publikuar “online” për herë të parë në histori rreth 13 milionë dokumente të konsideruara të klasifikuara më herët. Publikimi i dokumenteve vjen pas përpjekjeve të gjata nga mbrojtësit e lirive të informimit dhe një padie ligjore kundër CIA-s.

Mes dokumenteve përfshihen informimet mbi informacionet sekrete, dokumente hulumtuese, vëzhgimet për UFO-t dhe eksperimente psikike. Arkiva e plotë përbëhet nga rreth 800 mijë dosje me rreth 13 milionë faqe.

Në të gjenden gjithashtu edhe dokumente të Henry Kissinger, ish-Sekretarit të Shtetit nën administratat e presidentëve Richard Nixon dhe Gerald Ford, sikurse edhe qindra mijëra faqe analizash të shërbimeve sekrete dhe kërkime shkencore zhvillimore.

Mes dokumenteve të konsideruara si të pazakonta janë edhe ato të të ashtuquajturit program “Stargate”, i cili merret me fuqitë psikike dhe perceptimin përtej shqisave. Këtu përfshihen edhe testimet e kryera ndaj psikikut Uri Geller në vitin 1973, kur ai ishte një performues i mirëvendosur. Detajet tregojnë sesi Geller mundi të përsëriste pjesërisht disa piktura të ekspozuara në një tjetër dhomë, me një saktësi të ndryshme por shpeshherë tejet të saktë, duke nxitur studiuesit të shkruanin se “ai shfaqi aftësitë e tij paranormale të perceptimit në një mënyrë bindëse dhe të qartë”.

Edhe pse shumica e këtij informacioni ka qenë “teknikisht publik” që prej mesit të viteve ’90, ky material ka qenë tejet i vështirë për t’u qasur nga kushdo. Dokumentet kanë qenë të disponueshme nga 4 kompjutera të gjendur fizikisht në pjesën e pasme të bibliotekës së Arkivës Kombëtare në Maryland, nga ora 9 e mëngjesit e deri në 16:30, çdo ditë.

Një grup jofitimprurës për lirinë e informimit, “MuckRock” paditi CIA-n duke e detyruar atë të ngarkonte “online” të gjitha dokumentet, në një proces që zgjati mbi dy vite.

Top Channel