PD: Veliaj mashtron publikun!

18/01/2017 00:00

Me dy dalje njëra pas tjetrës, Partia Demokratike tha përmes Grida Dumës se kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka udhëtuar në Paris dy ditë më parë me një avion çarter, ndërkohë që mediave u ka dërguar kasetën sikur është në Tiranë duke inspektuar kopsht.

“Dy ditë më parë, Erion Veliaj ka udhëtuar me një avion çarter nga Rinasi drejt Parisit. Me të kanë udhëtuar zëvendësi i tij Mazniku, një ndihmëse e tyre dhe një biznesmen. Avioni çarter është paguar nga biznesmeni”, tha Duma.

PD ngre disa pyetje për kreun e Bashkisë së Tiranës.

“Pse udhëton me çarter për në Paris me një kosto të paktën 60-70 mijë euro? Cila është urgjenca e një kryetari bashkie për të shkuar në Paris me çarter? Kush e pagoi çarterin? Çfarë interesash ka me bashkinë, biznesmeni që pagoi çarterin dhe qëndrimin luksoz të Erion Veliajt në Paris?”, shtoi Duma.

Këto deklarata të Partisë Demokratike u hodhën poshtë nga Bashkia e Tiranës, që ka bërë publike edhe biletën e udhëtimit të kreut të Bashkisë, Erion Veliaj.

Sipas Bashkisë, Veliaj nuk ka qënë në Paris, por ka udhëtuar me një kompani udhëtimi low cost drejt Milanos, për të vizituar deputetin e PS-së, Bashkim Fino i cili po kurohet prej disa ditësh në vendin fqinj

Por kjo nuk ka bindur Partinë Demokratike. Grida Duma doli sërish para mediave.

“Ne e pyetëm sot në mesditë për motivin e vizitës me çarter në Paris, me datën 16 Janar, dhe i kërkuam të sqaronte se kush është biznesmeni që ka paguar këtë fluturim luksoz, dhe a ka ai interesa në bashkinë e Tiranës. Veliaj përgjigjet duke përmendur vizitën që ka bërë me 17 janar, në Itali, pra vizitën që ka bërë dje. Kështu, ai e thellon skandalin, sepse i fshihet çarterit të dy ditëve më parë, nuk bën transparencë dhe mundohet të hedhë mjegull duke përmendur një fluturim tjetër, të një dite më parë”, tha Duma.

“Përse Erjon Veliaj e mohon këtë udhëtim? Pse fluturon me carter për në Paris me kosto të paktën 60-70 mijë euro? Cila është urgjenca e një kryetari bashkie për të shkuar në Paris me çarter? A e pagoi biznesmeni këtë udhëtim? Çfarë interesash ka biznesmeni me bashkinë?”, shtoi Duma.

Top Channel