Femrat në stadiume, fushatë sensibilizuese e FSHF-së

18/01/2017 00:00

Prania e gjinisë femërore në stadiume është një prioritet i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF). Për këtë arsye në ambientet e Hotel Tiranës u mbajt një takim i posaçëm në praninë e përfaqësuesve të politikës si dhe të vetë presidentit të FSHF-së, Armand Duka.

Ky i fundit theksoi se ka ardhur koha që të diskutohet në lidhje me atë që duhet bërë për rritjen e mëtejshëm të prezencës femërore në shkallët e stadiumeve shqiptare.

“Futbolli në Shqipëri bëhet çdo ditë e më shumë interesant dhe më i bukur. Por, ajo që duhet të diskutojmë është se çfarë duhet të bëjmë ne që të kemi më shumë prezencë femërore në stadium”, deklaroi Duka.

Më pas, Duka theksoi se ky aspekt varet jo vetëm nga ata që organizojnë ndeshjet e futbollit, por edhe nga vetë tifozët, pasi futbolli është një  sport që luhet nga të gjithë.

“Prezenca e femrave në stadium patjetër që varet nga mënyra e organizimit, por edhe nga ata që janë më prezentë. Femra është e rëndësishme jo vetëm për të mbushur stadiumin, por edhe për promovimin e futbollit”, theksoi Duka.

Top Channel