Zgjerohet Parku i Liqenit

18/01/2017 00:00

Hapësira të tjera i shtohen Parkut të Madh të Liqenit, të cilat vihen në shërbim të qytetarëve të të gjitha grupmoshave që frekuentojnë këtë hapësirë rekreative në kryeqytet.

Bashkia e Tiranës, përmes Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, ka vijuar punën për rikualifikim e pjesës lindore të Parkut të Madh të Liqenit të Tiranës, duke liruar hapësirat e zëna nga ndërtimet pa leje, vendosjen e pistonave për kufizimin e qarkullimit të mjeteve motorike pa autorizimin përkatës, mbjelljen e pemëve të reja, krasitjen e atyre që mund të rrezikojnë jetën e qytetarëve, rikonstruksion e rrugicave, si dhe vendosjen e stolave.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputeti i PS, Besnik Bare, dhe drejtori i APR-së, Blendi Gonxhe, theksoi se përmes Planit të ri Urbanistik, Parkut të Liqenit i shtohen 25 hektarë, të cilat plani urbanistik i hartuar nga administrata e kaluar e Bashkisë ia kishte hequr parkut për efekt ndërtimi.

“Jo vetëm që iu kthye ajo që i ishte hequr për ndërtim, por edhe iu shtua pas gjithë atyre parkingjeve, lavazheve, moteleve e hoteleve, që e kishin pushtuar këtë zonë, pra hyrjen e Parkut të Liqenit nga rruga e Elbasanit. Sot kemi liruar një pjesë të madhe të hapësirës, kemi një trafik të limituar, që do të kufizohet me piston dhe sigurisht, që nuk do të ndërpresim aktivitetin e fakultetit që gjendet brenda territorit të parkut, por do të jetë i kufizuar vetëm për ata”, u shpreh Veliaj. Kryebashkiaku deklaroi se ky është një tjetër premtim i mbajtur nga ana e Bashkisë për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra dhe për rikualifikimin e Parkut të Madh të Liqenit.

“Ky është një premtim i mbajtur që nga koha kur filloi debati për Parkun e Liqenit, për këndin e lodrave, që sot është një nga investimet më të mira që kemi bërë, por edhe për investimet e tjera që presim të bëjmë në park, siç është pista e biçikletave, shtigjet, mbjellja e mijëra pemëve dhe fidanëve në pjesën jugore, që gjithashtu ishte zaptuar nga banorë informalë. Detyra e atyre që menaxhojnë qytetin është të marrin vendime të vështira, që ndoshta prishin terezinë e një pakice, por ama besoj se sjellin të mira për një shumicë që do një qytet më të pastër e më të gjelbër. Nuk ka kuptim që zgjerohemi me parqe të tjera në Farkë, në Kashar, në Vaqarr, në Pezë, në Dajt, nëse nuk ruajmë dot integritetin e këtij parku”, tha ai. Veliaj theksoi se këto vendime merren për të mirën e shumicës së qytetarëve që dëshiron të ecë përpara dhe do të shikojë se si me punë ruhet integriteti i këtyre hapësirave publike.

“Më vjen keq kur shikoj shumë ambientalistë të politizuar, të cilët kur vjen puna për të ndërtuar diçka për fëmijët vënë kujën, kur vjen puna për të liruar hapësirën nga të fortët, nuk duken gjëkundi dhe bëjnë një pakt me të fortët. Të fortët e këtij qyteti janë ata njerëz që respektojnë ligjin, që duan gjelbërimin, njerëzit familjarë. Kurse, për të fortët që e kishin zaptuar parkun me motele me orë, me lavazhe, me zgëqe, më vjen keq, por nuk jam kryetari i tyre. Jam kryetar i shumicës dërrmuese të këtij qyteti, që do të ecë përpara dhe do të shikojë se si me punë ruhet integriteti i këtyre hapësirave publike që kemi”, tha ai. Kryebashkiaku shprehu besimin se ky është vetëm fillimi, pasi Bashkia e Tiranës do të vazhdojë me rehabilitimin e 40 mijë metra katrorë të tjera duke ia kthyer qytetarëve.

“Çdo ditë ka një progres, çdo ditë ka një investim më shumë, çdo ditë ka një punë më të mirë që po bëhet”, tha Veliaj.

Deputeti i PS, Besnik Bare falenderoi Bashkinë e Tiranës për angazhimin e saj, jo vetëm në investime në infrastrukturë, por edhe në gjelbërimin dhe gjallërimin e mëtejshëm të jetës në Parkun e Liqenit. “Për të gjithë është e qartë se Bashkia është në krye të punëve dhe është duke punuar në shumë plane. Është në shërbim të qytetarëve dhe përpiqet që vazhdimisht të jetë në shërbim të tyre dhe të ndreqë të gjithë këtë problematikë. Por, prioritet për të është njëkohësisht shërbimi i qytetarëve në lidhje me parkun. Parku i Tiranës dihet se çfarë rëndësie ka dhe gjithmonë e më shumë po ia shtojnë vlerën edhe këto ndërhyrje që po bëhen. Është një dhuratë tjetër, është një pasuri tjetër, që u shtohet banorëve të Tiranës dhe padyshim, banorët e Tiranës janë mirënjohës për këtë punë të Bashkisë”, tha Bare.

Drejtori i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit, Blendi Gonxhe, garantoi se tashmë ka përfunduar epoka e abuzimit në krahun lindor të Parkut të Madh. “Rikualifikohen rreth 25 mijë metra katrorë, stola, kosha të rinj, një ristabilizim i ndriçimit, bllokohet zona me trafik të kufizuar. Pra, parkut i kthehet qetësia, i kthehet dinjiteti, i kthehet kuptimi. Vazhdojmë me një rikualifikim të objekteve nga kjo anë e parkut. Vazhdojmë edhe me një kënd force dhe me një kënd të vogël lodrash pak më lart, për pjesën lindore të parkut, për këta qytetarë që e frekuentojnë nga ana e “Rrugës së Elbasanit””, tha Gonxhe.

Puna nga ana e Bashkisë së Tiranës vazhdon për shtimin e biodiversitetit të Parkut si dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese me rehabilitim rrugësh e stolash, duke e kthyer më shumë se kurrë Parkun e Madh të Liqenit në një zonë rekreative, jo vetëm për të rinjtë, por për të gjithë grupmoshat.

Top Channel