Itali, tri lëkundje me magnitudë nga 5.1 deri në 5.4 në pjesën qendrore

18/01/2017 00:00

Tri lëkundje sizmike me magnitudë nga 5.1 deri në 5.4 kanë tronditur sërish Italinë Qendrore, e para rreth orës 10:25, e ndierë në rajonet e Lacios, Abruzzos dhe në Marche, ndërsa e dyta dhe e treta rreth orës 11:14, edhe më intensive dhe më të zgjatura.

Epiqendra e tërmetit të parë është regjistruar, sipas Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vullkaneve, në Montereale, në provincën e Aquilas, në një thellësi prej 9.2 km.

Është e njëjta zonë pranë Amatrices, që u shkatërrua nga tërmeti i 24 gushtit të vitit të kaluar. Gjatë lëkundjeve sizmike të rreth 5 muajve më parë, në Italinë Qendrore, humbën jetën 299 persona.

Ndërsa epiqendra e tërmetit të dytë është regjistruar në Capitignano, në thellësinë prej 9.1 km, sërish në Aquilano. Lëkundja e tretë preku Pizzolin (L’Aquila) në thellësinë 8.9 km, me magnitudë 5.3.

Lëkundja e orës 10:30 trembi edhe banorët e Rietit, aty ku studentë të disa shkollave kanë dalë nga klasat për t’i paraprirë çdo rreziku. Edhe në Romë, ku lëkundjet janë ndierë me intensitet të lartë, disa të pastrehë janë mbledhur nëpër oborre, ndërsa janë evakuuar edhe muzetë dhe metrotë.

Top Channel