Mbyllet faza përgatitore, klubet e Superiores rikthehen në Tiranë

18/01/2017 00:00

Faza përgatitore për 3 nga skuadrat e Kategorisë Superiore është mbyllur. Mbrëmjen e së martës mbërritën në kryeqytet futbollistët dhe stafet teknike të Kukësit, Partizanit dhe Tiranës, për të vijuar përgatitjet për rinisjen e kampionatit.

Trajneri i Kukësit, Ernest Gjoka u shfaq i kënaqur me punën e bërë nga skuadra e tij dhe u shpreh se verilindorët janë kandidatë të fortë për titullin.

“Trajneri kërkon që të bëhet më e mira e mundshme. Sigurisht presidenti ka thënë atë që kemi bërë politikën e klubit. Ne mendojmë se Kukësi është një ekip shumë i fortë, që do të jetë në garë për titullin deri në momentin e fundit”, tha Ernest Gjoka, trajner i Kukësit.

Partizani e zhvilloi këtë fazë përgatitore me emra të rinj në skuadër, të ardhur në merkaton e janarit, siç është edhe Cetkoviç. Për Sulejman Starovën, blerja e këtij futbollisti rrit konkurrencën në skuadër.

“Partizani është një skuadër që i ka luajtur dy fazat e para dhe kushdo që vjen, e bën këtë për ta ndihmuar klubin. Nuk është se po bëjmë ndonjë revolucion, thjesht shtohet konkurrenca në skuadër. Cetkoviç nuk është më i mirë sesa ata që kemi, por është një lojtar i rëndësishëm që njeh kampionatin. Nuk është se këtu ka ardhur Van Persie”, tha Sulejman Starova, trajner i Partizanit.

Tirana është klubi që nuk ka bërë ende asnjë lëvizje në merkato dhe kjo e ka shqetësuar trajnerin Josa, i cili theksoi se do të vijojë punën me skuadrën e tij aktuale.

“Personalisht nuk pres shumë, mund të tentoj të përmirësoj gjendjen e lojtarëve që janë aktualisht në përbërje të skuadrës, pastaj çfarëdo që të na dalë e mirë apo pozitive, themi se mund ta marrim”, u shpreh Mirel Josa, trajner i Tiranës.

Tirana udhëtoi në të njëjtin avion me Partizanin, duke krijuar një lloj “derbi” me “të kuqtë”, situatë për të cilën Josa lëshoi edhe një batutë.

“Ne jemi miq me njëri-tjetrin”, deklaroi Josa.

Top Channel