NBA, humbet Houston, fiton San Antonio

18/01/2017 00:00

Houston Rockets nuk arrin dot të dalë nga minikriza që e ka mbërthyer në kampionatin e NBA. Skuadra teksane u mposht nga Miami Heat me rezultatin 103-109, ku për Miamin spikati Dragiç me 21 pikë.

James Harden ishte më i miri për Rockets me 40 pikë të shënuara, gjë të cilën ai e arriti për të pestën herë në këtë sezon, por kjo nuk i mjaftoi Houstonit të evitojë humbjen e 12.

San Antonio nuk gaboi në ndeshjen e tij të radhës në NBA ndaj Minnesotës. Në “AT&T Center”, skuadra e Spurs-ave e mbylli takimin me rezultatin 122-114, duke e lënë në harresë disfatën me Phoenix Suns.

Leonard ishte në një ditë të shkëlqyer, teksa e mbylli ndeshjen me 34 pikë të shënuara. Bilanci për San Antonion pas kësaj sfide shkon në 32 fitore e 9 humbje, me teksanët që vazhdojnë të jenë në vendin e dytë në Konferencën e Perëndimit, pas Golden State.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Toronto fitoi me Brooklyn 119-109, Dallas mposhti Chicagon 99-98, ndërsa Los Angeles Lakers humbi në “Staples Center” ndaj Denver Nuggets 121-127.

Top Channel