Piktorët zakonisht nuk mungojnë në çeljen e ekspozitave të tyre, por autori i veprave që mbushën Galerinë “Rupla” të Helsinkit më 17 janar ishte shumë i zënë me gjumin letargjik.

Artisti pas ekspozitës me titull “Prekje të forta e të buta” është një ari i murrmë 423 kilogramësh, i quajtur Juuso, i cili në vend të penelave përdor trupin e vet e sidomos putrat. Kujdestari i tij thotë se nuk bëjnë asgjë tjetër për ariun-piktor, përveçse i lënë përpara letra e ndonjë copë kompensate.

“Juuso e bën artin e vet kur t’i teket. Nëse i kërkojmë të krijojë, ai nuk prek gjë. Të gjithë punën e vet e bën kur e lëmë të qetë”, tha Pasi Jantti, kujdestar.

Një vend të veçantë në shijet e ariut 17-vjeçar ka ngjyra e kuqe dhe ajo blu. Bojërat e përdorura nuk përbëjnë asnjë rrezik për shëndetin e kafshës. Talenti i Juusos u zbulua rastësisht një ditë, ndërsa i kishte hyrë me zell kombinimeve të tij tërheqëse.

Qendra e kafshëve “Kuusamo” në veri të Finlandës, ku ai ka jetuar që kur ishte këlysh, ka mbledhur plot 18 mijë euro nga shitja e 15 pikturave të Juusos. Ekspozita në Galerinë “Rupla” përmban 11 vepra origjinale dhe disa printime.

Çmimet e tyre variojnë nga 50 deri në 4.000 euro. Në disa prej pikturave kanë mbetur edhe qime nga gëzofi i Juusos. Fondet e mbledhura nga kjo ekspozitë do të përdoren për prodhimin e një dokumentari mbi arinjtë.

Top Channel