Gabimi fatal i pilotit, 50 të vdekur e 100 të plagosur në Nigeri

17/01/2017 00:00

Një avion ushtarak i Forcave Ajrore të Nigerisë ka vrarë dhe plagosur aksidentalisht me dhjetëra civilë në zonën verilindore të vendit.

Lajmi konfirmohet nga vet ushtria, ndërkohë që organizata ndërkombëtare e ndihmave “Mjekët pa kufij” ka njoftuar për të paktën 50 të vrarë dhe mbi 100 të plagosur në këtë incident.

Punonjës të ndihmave rezultojnë të jenë mes viktimave. “Kryqi i Kuq” ka informuar se 6 prej punonjësve të tyre janë konfirmuar të vdekur.

Sulmi ndodhi pranë kufirit të Nigerisë me Kamerunin, aty ku ushtria lufton kundër militantëve të organizatës ekstremiste “Boko Haram”.

Zëdhënësi i ushtrisë, gjeneral-major Lucky Irabor tha se piloti i avionit kishte besuar gabimisht se po sulmonte kryengritësit. Presidenti nigerian, Muhammadu Buhari ka dërguar një mesazh pikëllimi për humbjet e jetëve.

Top Channel