Kenia, nxisin burrat për të votuar duke u refuzuar seksin

17/01/2017 00:00

Një deputete keniane u ka kërkuar femrave që t’u refuzojnë seksin bashkëshortëve të tyre, derisa ata të regjistrohen si votues për zgjedhjet e 8 gushtit.

Mishi Mboko, përfaqësuese e grave nga qyteti bregdetar i Mombasas, tha se kjo ishte strategjia më e mirë për të mbështetur votat e opozitës.

“Femra, kjo është strategjia që duhet të adoptoni ju. Është më e mira. Mohojuni atyre seksin derisa të shkojnë në vendet e regjistrimit si votues”, tha ajo. Regjistrimet në Kenia përfundojnë më 17 shkurt.

Mboko tha se, seksi ishte një armë e fuqishme dhe do të inkurajonte meshkujt ngurrues të shkonin e të regjistroheshin si votues, në thirrjen që nisi prej së hënës. Por a preket edhe bashkëshorti i vet deputetes nga kjo strategji? Gazeta “the Standard” raporton se i shoqi nuk ndikohet nga ky “bojkotim” marrëdhëniesh seksuale, pasi ai është regjistruar tashmë.

Presidenti i Kenias, Uhuru Kenyatta synon të marrë mandatin e dytë dhe pritet të sfidohet nga një kandidat, i mbështetur nga një aleancë partish opozitare, përfshi këtu partinë “ODM” të Mboko. Kjo e fundit tha se aleanca opozitare ka më shumë mundësi të fitojë zgjedhjet, nëse mbështetësit e opozitës do të regjistroheshin në shifra të larta.

Thirrjet për bojkotim të marrëdhënieve seksuale në Kenia nuk janë të pazakonta. Në vitin 2009, aktivistet femra ndërmorën një “grevë seksuale” njëjavore, derisa presidenti i atëhershëm Mwai Kibaki dhe kryeministri Raila Odinga, si dhe aleatët e tyre, u pajtuan pas një mosmarrëveshjeje.

Top Channel