KQZ, miratohet buxheti kalendarik; 139 milionë lekë

17/01/2017 00:00

Mbi 139 milionë lekë është buxheti për Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve për vitin 2017, miratuar me vota unanime gjatë mbledhjes së sotme.

Pavarësisht kërkesës për ndryshime në disa zëra, ky do jetë buxheti i këtij institucioni përgjatë këtij viti, ku pjesën më të madhe, 45.23% të totalit, e zënë shpenzimet për paga, 63.000.000 lekë.

Më pas renditen shpenzimet për investime apo pajisje zyre në 33.000.000 lekë, që zënë 23.7% të buxhetit; shpenzime për sigurime shoqërore dhe shëndetësore mbi 11 milionë lekë; shpenzime për mallra dhe shërbime mbi 31 milionë lekë; udhëtime dhe dieta mbi 2.9 milionë lekë; dhe shpenzime për kompensime legale apo largime nga puna vitet e fundit në mbi 10.7 milionë lekë, apo 34.31% e totalit.

Ky është vetëm buxheti kalendarik për punën e KQZ-së për këtë vit, ndërkohë që administrata ende po punon për hartimin e buxhetit zgjedhor, i cili ndjeshëm është shumë herë më i lartë se ai kalendarik.

Në këtë mbledhje, institucioni I menaxhimit të zgjedhjeve miratoi edhe vendimin për të punësuar me kontratë të përkohshme 338 persona gjatë periudhës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Top Channel